PRITSHMËRITË NGA VIZITA E PAPËS NË SHQIPËRI

Nga Frank Shkreli   Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Vatikani  Shënjtërimi i Nënë Terezës Emërimi i një kardinali shqiptar Në Tiranë u njoftua sot, të Ënjten axhenda e vizitës së Papa Lexo më tej

KUSARI NUK E FUT DOT NË BURG KUSARIN

Nga Artur Vrekaj   Populli Shqiptar i Shqipërisë londineze e ka humbur besimin edhe lidhur me administrimin e mjeteve monetare të Bankës Kombëtare, që bie ende era pisllik me supervjedhjen në vlerën Lexo më tej

KOSOVËS SI KURRË MË PARË I DUHET VLERA AKADEMIKE E KOMBERTARE E JO MILITANEIZEM INATEÇOR DHE ORDINER

Nga Asllan Dibrani dhe Sylë Mujaj   Se Kosova është në duart e bandës vrastare të Hotel “Rognerit”,  nuk ka dilema!.Kosova e pasluftës kudo që prek, kudo që shkel , kudo që Lexo më tej

NËSE DONI TA SHPËTONI ATDHEUN, SHPETOJENI SA I KA MBETË EDHE PAK FRYMARRJE

Nga Agim Gashi Me emrin Lavdërim e mbiemrin Muhaxheri, një shqiptar nga Kaçaniku, në njëren dorë mban thiken e në dorën tjter koken e një të riu, dhe kaq mjafton përshkrimi i terroristit Lexo më tej

Edhe INA u bashkohet zërave lobues për përshpejtimin e shenjtërimit të Nënë Terezës!!!

Nga Instituti për Çëshje Kombëtare   Instituti i Çështjeve Kombëtare (INA) bashkohet me përpjekjet e disa intelektualëve shqiptarë dhe të huaj të cilët, që nga 15 qershori 2014, po lobojnë nëpërmjet një Lexo më tej

MUND TË JETË KRIM LUFTE

Nga Frank Shkreli   Komisionerja e Lartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay dënoi të hënën rrëximin e aeroplanit të pasagjerëve të linjes ajrore Lexo më tej

Një vlerë universale

Faktori kohë si vlerë Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj      Të nesërmen vendosa të shkoja  te mjeku. Papritmas në rrugë u ndesha me kolegen time, e cila parkoi makinën dhe u bashkua me Lexo më tej

KOSOVA PA RUGOVËN DO TË ISHTE BËRË SI PALESTINA

KOSOVA PA RUGOVËN DO TË ISHTE BËRË SI PALESTINA Nga Xhafer Leci Më 17-07-2014  tek Koha.net, E. Robelli kishte shkruar një shkrim me titull: “Kosova nuk është pështymore për bijtë e Ibrahim Lexo më tej

MAZHORANCA DHE OPOZITA NË UNISON

Nga Elida Buçpapaj, VOAL   Mazhoranca dhe opozita janë në unison. Sado absurd që të duket ky fakt, kur ke para sysh se si bëhen mish për qofte në Kuvendin e Shqipërisë, Lexo më tej

Islami Sisters placed on administrative leave after 30 years working at the Voice Of America (Anglisht)

By Mërgim Korça The two legendary journalist sisters, Isabela (Islami) Çoçoli and her sister Zamira (Islami) Edwards, have been placed on Administrative Leave at the Voice of America. This announcement rightly spurred Lexo më tej

 

Nji Nanë… Njimijë Nana dhe Njiqind vitet e Shtetit Shqiptar…

Nga Jozef Radi

 

(Nji Kangë që duhet me e këndue të gjithë bashkë)

Nënë Sava 1995

Shteti shqiptar ka hy në kapërcyell të shekullit dhe sigurisht nga maja e këtyne njiqind viteve të mbrrituna, ka mundsi me soditë me qetësi, po edhe me krenari e dhimbje jo veç rrugën po krejt përpjekjet e bame, jo veç luftat po edhe heronjtë, jo veç fitimtarët po edhe të mundunit, jo veç arritjet po edhe praghumnerat, jo veç burrshtetasit po edhe diktatorët, jo veç historigrryesit po edhe dinjitarët, jo veç ata me tituj e grada po edhe ata ma të thjeshtët, që quhen Popull, e që me t’përditshmen e tyne rraskapitëse s’mbrrijnë kurrë me ba as emën dhe as mbiemën të shquem…

Nji shtet njiqind vitesh, simbas mendjes sime, duhej të ishte si nji plak i moçëm e i urtë që mat me kujdes në t’gjitha anët, që i ndigjon vëmendshëm t’gjitha daullet, që s’shkumzon inati si nji adoleshent: “Ku rafsha mos u vrafsha!” dhe që nji pjesë t’mirë të punëve t’veta duhej t’i kishte futë kahera nëpër hullitë e duhuna…

Sikur faji ndër ne t’kërkonte nji emën të vetëm do ta kishim pasë krejt të lehtë me e gjetë atë, por problemi asht se faji ndër ne edhe për mjaft kohë ka me mbetë kopil, e ne të gjithë së bashku në kor kem me gjetë gjithfarë emna fajtorësh, duke harrue se ma e mira do të ishte të merrte gjithkush nga pak faj, me pshtue jo veç nderin tonë edhe të këtij shteti që kurrë s’po mbrrin me u ba si nji plak i urtë e me nda kuvend si burrat…

Nejse, a s’asht ma mirë me e lanë shtetin n’at shejtninë e tij fatlume të shekullorit e ne me iu kthye atyne vogëlsinave të mëdha që po i humbim përditë, dhe që po kujtohemi për to veç kur seleksioni natyral na i shkul dhunshëm ato vlera dhe ata njerëz, për të cilët çdo monument o piedestal sado madhështor do të ndehesh në vështërsi të mëdha përballë veprës hyjnore të atyne ma heroikeve të këtij truelli e të këtyne maleve; të atyne që me dhimbje e me sakrifica të pashkrueshme i dhanë nji emën dhe nji vlerë që s’ka zot me e zhba dhe me e zhbi prej shpirtnave tonë: Nanat shqiptare

Në nder të gjithë atyne Nanave të kësaj toke, të gjithë atyne grave që e shtynë dhe ende po e shtyjnë qerren e jetës shqiptare me shpirt nëpër dhambë, kam nji emën të vetëm, nji emën të vetëm Nane që asht sot pothuej motake me shtetin shqiptar, e që jeton për turpin tonë, sot e kësaj dite atje n’ato kampet dikur skëterrë të internimeve dhe me qetsinë olimpike të nji shenjtoreje e stocizmin madhështor të nji heroine, pret paasnji grahmë lëvdate as lavdie, at udhëtimin e gjatë drejt përjetsisë…

E mora kët guxim sot, sepse nesër ka me qenë vonë, tepër vonë e ndoshta flaka e atij kandili n’shpirtin e saj do t’jetë shue; sepse s’asht njerzore me këndue nji requiem të dhimbshëm kur mundemi me këndue nji simfoni! Po, po, nji simfoni heroike shqiptare, pa shumë zulme e hove, pa shumë lajle e ojna, thjesht me e thanë me gjithë shpirt emnin e saj: Vojsava Zguri – Kuqeshi, për të gjithë ne që e njohin prej vitesh thjesht: Nënë Sava! Ose le të shtrembnohet paksa emni i saj dhe të bahet si nji flamur i rreckosun vuejteve pafund: Nënë Savra!

Nënë Sava me tre fëmijet e saj dhe mbesen

Nënë Sava, mbrriti në kampin e Savrës aty nga fundi i viteve pesëdhjetë, me të shtatë fëmijët e saj pesë djem e dy vajza. I kishin përzënë prej Leskoviku dhe i hodhën nji mbramje si kafshë aty midis barakave prej pupuliti. Grueja, fëmijën e fundit e kishte n’gji dhe të madhin posa i kish kalue të njizetat. Ajo, s’la asnji nga fëmijtë me qa, po i mblodhi të shtatë ashtu kokë më kokë, i dha secilit detyrën dhe u nis e vetme pa burrë, në at kalvar pafund, që për dreq vazhdon ndaj saj edhe sot e kësaj dite… Pesë djemtë e saj e morën baltën e Myzeqesë si të ishin eskavatore, dhe ajo që ishte e frikshme për shumë nga bashkvuajtësit, për djemtë e saj dukesh si nji lodër. A asht ndokush që e ka harrue Thanasin, Evgjeninë, Petraqin, Polikronin, Sofon dhe të tjerët… S’ma merr mendja!

Po gjithkund ishte ajo Nënë Sava. E veshur krejt në të zeza si kallogre… po që dinte edhe të qeshte… po ama fjala e saj, thirrja e saj ishte ligj… e vendimi i saj ndoshta ishte edhe ma i rreptë se vetë ligjet e diktaturës… e ndoshta ajo, diktatura që s’kishte frikë askënd në botë, duhet të ketë pasë frikë prej nji grueje, prej nji Nane, prej nji Heroinë që pa frikë ia kalonte çdo burri: Nënë Sava…

Dhe i martoi ajo grue vit mbas viti djemtë dhe vajzat; dhe i priti ajo grue vit mbas viti nipat e mbesat dhe u mplak ajo zonjë vit mbas viti, dhe ashtu në at vetminë e saj të zezë dhe solemne prej patriarku, s’guxonin nuse as djalë, vajzë as dhënder, nip as mbesë të vinte në diskutim fjalën e saj…

ënë Sava me mbesen dhe stërmbesen gusht 2012

Kjo asht ajo Nënë Sava, që në mars të vitit që vjen, mbush plot njiqind vite, e bahet motake me Shtetin…

Gjithë gratë dhe shoqet që ndanin të njejtin fat me të tashma i kanë ikë kësaj bote, po pakkujt i ka ra ndërmend me u kujtue për To, me e ngritë sado pak zanin kundër kësaj padrejtësie që rrin pip në kambë, e s’po na len me pa larg ndër kohna, e me u kujtue se në fund të fundit të gjithë ne jemi vepër e nji Nane Shqiptare e nji grueje që e ka trembë rrezikun dhe të keqen me shembullin e saj, jemi të gjithë krijesa të nji Nënë Save…

Pse ajo s’ishte e vetme, ajo ishte vetëm nji prej atyne Nanave, emnat e të cilave jam përpjekë me ia grrye kujtesës dhe asaj dashnie që kam ndje për gjithë dhimbjet dhe sakrificat e tyne sublime… Ato i rritën fëmijët e tyne: pa burra, i martuan: pa burra, i rritën nipat e tyne: pa burra, dhe nëse ky vend flet për burra, burra të vërtetë janë vetëm Nënë Savat që e ruejtën dinjitetin dhe krenarinë e nji aristokracie shqiptare pa u ba zhele, pa guxue kush me ua shkelë dinjitetin, pa pranue asnji kompromis me të keqen e madhe, duke u dhanë fëmijve të tyne vërtet bukë ma pak, po nji shembull të pashkruem ende… Pati edhe mjaft Nana që i rritën fëmijët e tyne me burra në burg, e ndoqën fatin e tyne me trasta në krahë, i veshën pantallonat e burrave me arrna ndër gjunjë të qepuna me fijet e flokëve të tyne; e hoqën kafshatën e bukës prej goje për burrat dhe fëmijtë e tyne, po gjithsesi hija e burrit ishte gjithkund aty rrotull… ndërsa për Nënë Savën dhe simotrat e saj të maposhtme hija e burrit o kaherë ishte tretë nën dhé, o prej kur s’mbahej mend kish marrë rrugët pakthim të ezileve…

Prandaj kët kangë heroike e këndoj me ju për nji grue të vetme: mbas saj asht nji kor pafund me gra që unë jam mundue me i përmendë emën për emën, plot 53 gra, që kanë mbajtë Gurin e Sizifit në nji kamp të vetëm interrnimi: n’atë të Savrës! Po sa mija e mija gra ia vunë shpatullat këtij kombi, atherë kur burrat e vërtetë i përtypte plumbi o kurbeti i detyruem…

Lavdi kësaj Nane Shqiptare, ku ende vezullon nji grimë drite e gjithë Nanave tona të ikuna me shpirt të trishtuem!

Le t’ia nisë kush të mundë kët emën dhe kët kangë të shkulun prej së thelli Presidentit të Shtetit Shqiptar, Kryetares së Parlamentit Shqiptar, Kryeministrit Shqiptar, që nesër mos të lodhen me e kujtue mbas vdekjes, po në të gjallë ta nderojnë se e meriton kët grue për gjithë simotrat e saj! “Nderi i Kombit”, pakkush e meriton si Ajo dhe gjithë Ato Nana që ruejtën me dinjitet emnin dhe nderin e krejt atyne familjeve të mëdha të cilave komunizmi u përpoq me iu shkatrrue gjithçka…!

I kërkoj çdo lexuesi, me gjetë nji mënyrë, si t’i duket atij ma e drejtë, me ia ba me dije Shtetit Shqiptar, që nëse dëshiron me iu afrue me të vërtetë asaj moshe që meriton kjo festë:

100 Vjetori i Shtetit Shqiptar, bahet ma solemn, dhe ma i vërtetë duke fillue bash prej emnit dhe moshës së kësaj Nane shqiptare: Nënë Savës!

Listë e ndërtueme veç me kujtesë të atyne 53 Nanave që i rritën pa burra fëmijët e tyne në kampin e Savrës…

Vojsava Kuqeshi (nga Leskoviku)

Caje Merlika (nga Kruja)

Velide Çapa (nga Dukati i Vlorës)

Vaje Kupi (nga Kruja)

Ana Pervizi (nga Skuraj i Kurbinit)

Xhina, Kune e Cube Mirakaj (nga Iballa e Pukës)

Rukije e Sulltana Dine (nga Maqellara e Dibrës)

Mrike e Marta Markagjoni (nga Oroshi i Mirditës)

Hajrie Mulleti (nga Tirana)

Vocërr Sherifja (Hoxha) (nga Tropoja)

Kadife Matjani (Matjani i Lushnjes)

Lekani Gjoka (nga Brezhdani i Përmetit)

Gjylije Kolgjini (nga Kukësi)

Hanife e Hava Alla (nga Zgoshti i Librazhdit)

Hazize e Kadife Biçaku (nga Lenia e Librazhdit)

Merushe Plaku (nga Çamëria)

Vasfije e Tefta Dema (nga Homeshi i Dibrës)

Dhemashqini Kokali (nga Aliko e Sarandës)

Hatixhe Çeliku (nga Borja e Kuksit)

Kafile, Hane e Dije Sina (nga Muhurri i Dibrës)

Xhevrije e Xhevahire Spahiu (nga Kolesjani i Kukësit)

Zengjine e Resmie Laholli (nga Vidohova e Korçës)

Sheme e Ziqe Kaloshi (nga Peshkopia)

Tushe e Dije Lamçe (nga Elbasani)

Lefkothe Anastasi (nga Vllaho-Psillotere e Permetit)

Nënat e Kullëve (Mirdash, Ali, Irfan, Gëzim) (nga Zemblaku i Devollit)

Mrikë Gjergji (nga Malsia e Madhe)

Nëna e Maçeve (Musa, Tomorr e Kujtim) (nga Tirana)

Nëna e Kosta Guvellit (nga Dhivri i Sarandës)

Zeqije Agolli (nga Peshkopia)

Jorgjica Kënuti (nga Dropulli i Poshtëm)

Bute Berisha (nga Tropoja)

Aishe Neza (nga Tropoja)

Kaliopi Peçi (Leshnicë e Sarandës)

Xhemile Cani (nga Peshkopia)

Ike Tola (nga Peshkopia)

Vezire Taho (nga Starje e Ersekës)

Feruze Brahamaj (nga Greshica – Mallakastër)

Sabrete Asllani (nga Luftinja e Tepelenës)

V.O: Kam shënue edhe vendet prej nga vinin këto gra me dëshmue se gjeografia e heroizmit të tyne prek çdo skutë të tokës shqiptare…

Kërkoj ndjesë për ndonji pasaktësi, o për çdo harresë që mund të ketë ndodhë veç prej kujtesës sime…

 

 

Ky shkrim është lexuar 257 herë!

Enter your email address:

Delivered by FeedBurner

RadioEmigranti

facebook comments:


Leave a Reply