StatPress

Vizita sot: 21

 

May 2013
M T W T F S S
« Apr    
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  

Albanian Yellow Pages

Shqiptari i Montrealit 1 by Ajet Nuro

Komunizmi nuk pati një Nuremberg

Nga Izet Shehu

(Fragment nga romani “Sytë e gështenjave të egra” te S.Bejkos)

Z. Izet Shehu

- Ty të thirrën për të të bërë spiun, të thanë dëshmo për të dhe për atë tjetrin që, pasi shkroi për Enverin “ti pive ujë në gjurmë kali”, pasi zhgrapi para të madhe nga firmat piramidale, tani bën disidentin diku në ndonjë azil të Europës. Ata ta kanë futur keqas pas krahëve. Ti atëherë nuk dëshmove kundër tyre, nuk pranove të bashkëpunoje me shtetin dhe shkove në fund të botës, punove minierave, vure gruan e fëmijët nën poshtërim e dhunë.

- Por mbijetova prapë.

 

- Vërtet mbijetove. Ta kisha frikën… Do t’ma thuash si bëre që ia dole matanë?

- Do ta them ndonjëherë tjetër.

Si u ndava prej saj, nuk isha në vete. Nata dhe lagështia sikur po më binin drejt e në tru. Duhet të ulesha diku vetëm për vetëm, sa të kthjelloja gjërat brenda vetes. U ula në një kafe me një gotë konjak përpara dhe në bllokun e vogël të xhepit shkrova këto më poshtë:

Atëherë e mbaja veten për njeri me parime. Ndër parimet e mia më kryesore ishte ky: njeriu nuk duhet ta shesë bythën. Kjo domethënë, nuk duhet ta shesë trungun dhe rrënjët e veta. Unë atëherë kisha me vete një truall që nuk duhet ta tradhtoja. Ai truall ishte i vogël sa një copëz gur dhe i papërfillshëm sa një gjeth mbi dallgë. Po kjo ishte gjethja ime dhe ai guri i vogël që, dhe po ta zhysje në ujë, prapë mbetej gur, ishte imi. Kur të thahej përmbytja, ai gur me ngjyrën, me forcën dhe me përbërjen e tij, mbetej po guri im. Nuk tjetërsohej se e mbyste uji apo se e merrte rrëkeja dhe e degdiste në fund të fundit. Ishte thelbi im. Nuk ma merrnin dot.

Kurrë nuk do ta shisja atë që më ishte dhënë me qumështin e nënës. Kurrë nuk do ta humbisja atë që kisha krijuar me fuqitë e mia mbi këtë gur: atë që të jem ai që dua të jem, që të them atë që brendia ime don ta thotë. Mund të epesha, të flirtoja, të hepohesha, të anoja sipas erës, sipas dallgës, por asnjëherë të tjetërsohesha nga thelbi im.

Ky ishte fat, por dhe fatkeqësi për mua. Për këtë fat mund të paguaja, pa asnjë shpërblim, të paguaja me gjakun tim, me eshtrat e mia, të cilat edhe mund të asgjësoheshin. Kjo ishte një forcë kokëshkretë, një fuqi që nga përtej meje ishte ndryrë në eshtrat e mia. Dhe si fuqi e tillë, nga përtej meje, ajo nuk më pyeste mua seç doja a seç nuk doja.

Mali im, lumi im, përroskat, shtëpia e lindjes, gjyshja, nëna, plakat e fshatit tim, pemët e ujët e krojeve të tij ishin ndryrë e bërë shkëmb brenda meje, kishin ndërtuar një kullë me fijet e barit, kokrrizat e grurit, thërrmijat e dheut e të bukës, me thëngjijtë e zjarrit të vartës, me avujt e bukës së pjekur, me aromat e frutave e të barërave dhe ashtu lëmsh e bërthamë bashkë ishin bërë strehëza ime, që në çdo rrezik më jepte shtresë e mbulesë, më jepnin kashtën e hollë ku të fle, më jepnin çatinë e ajrit dhe të brymës, ku të fshihja kokën nga shkundullima e tërmetit a e ortekut.

Unë kisha me vete ca armë të lashta, parake, të egra, të papërpunuara, fillesa të barabarta me forcat që shkatërrojnë dhe rikrijojnë botën. E kisha në fijezat e kockave dhe të muskujve këtë forcë parësore, forcë si e atij që tha: të bëhet toka dhe ajo u bë, të bëhet drita, dhe ajo u bë, të bëhen bimët dhe ato u bënë.

Bejko: 

“Sytë e gështenjave të egra” (Pen, Tiranë, 2011) i Sadik Bejkos, që lexuesi e njeh më tepër me poezinë, studimet, eseistikën, është një vepër artistike, një rrëfim për jetën e një poeti në Tiranën e viteve ‘70, një poeti që jeton varfër, punon mes peripecish në diktaturë, por arrin të gjejë ekuilibrin, forcën dhe dinjitetin për të vazhduar. Ngjarjet më konkrete në roman janë ato të viteve 1972- 73, Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion, ngjarjet që pasuan Pleniumin IV, largimi i artistëve nga puna, pak histori personale, të trajtuara keto si sfond i rrëfimit romanor. Epilogu na çon te jeta në liri, vite më vonë pas rënies së regjimit. Në fund të romanit, autori sikur i lejon vetes pak publicistikë. Në bisedën me autorin e librit, gjurmohen histori të jetuara, që Bejkos i rikthehen në kujtesë. Në qendër të romanit mbetet njeriu që ka një mision në jetë. “Duhet të dijë të qëndrojë, të realizohet dhe të ketë dinjitet për të vazhduar. Kohët janë të vështira. Në asnjë kohë, njeriun nuk e bën të lumtur një realitet shoqëror ose politik i caktuar. Ai duhet të gjejë burimet e qëndresës brenda vetes së tij”.

 

Z. Bejko, duket se “Sytë e gështenjave të egra” është një roman autobiografik…

Shkrimtarët edhe kur shkruajnë për të tjerët, shkruajnë për veten. Me të gjithë shkrimtarët, deri me më të mëdhenjtë, abuzohet me pyetjen a është vepra juaj autobiografike, sa për qind nga biografia juaj është shkruar në këtë libër, cili është personazhi që të përfaqëson? Floberi është akuzuar deri sa ka thënë se “Ema Bovari jam unë!”. Artur Miler akuzohej se kishte marrë jetën e Merilin Monrosë dhe e kishte vënë në qendër të një prej dramave të tij. Ai tha se rëndësi ka problemi që shtroj në atë vepër, filozofia që mbart personazhi im, sesa se cili është realisht ai. Po t’i futesh çdo jete a çdo shtëpie brenda, mund të gjesh edhe rroba të palara diku nëpër skuta! Është e vërtetë që vepra ka diçka autobiografike. Meqë është vepër letrare, ajo i kalon të gjitha pyetjet që mund të ngrihen: cilët janë njerëzit, identifikimi i autorit, me kë përqaset, kush janë miqtë, a është jeta e tij?

 

Një histori konkrete në roman është Festivali i 11-të. A i keni njohur nga afër personazhet e romanit?

Vepra ka si synim burimet, rrënjët, fijet, që krijojnë personalitetin e një njeriu. Nëqoftëse ai e ka këtë lloj personaliteti, edhe kur mund t’i ngjasin fatkeqësi, do të mbahet te këto rrënjë, te vetvetja e krijuar prej tij. Nëse do të mbahet diku jashtë, te shefi, te drejtori, te miqësitë që ka krijuar, me tërmetet që ndodhin, ai njeri pastaj mund të pësojë deformime të mëdha, deri tek eliminimi i vetes. Kjo dramë e brendshme kuadrohet në një realitet historiko-real në roman.

Festivali i 11-të, që u pasua nga Pleniumi, pastaj dënimet e emrave shumë të rëndësishëm të artit. Fati i intelektualëve ka qenë i vështirë në Shqipëri. Pothuajse në të gjitha periudhat ka qenë i vështirë. Viti ‘72-‘73 ishte rezultat i një klime politike, e cila u ashpërsua papritur. Deri në vitin 1982 në Shqipëri ndodhën përndjekje, prishje, shkatërrime, ekzekutime dhe pothuajse e gjithë klasa politike e kohës u pastrua. Në gjithë shoqërinë shqiptare ndodhi një përmbysje, gati në çdo stinë ia plasnin gjëma, ngjarje të rënda politike, dilnin tradhtarë, armiq, shkatërroheshin familje, institucione. Komunizmi u mundua të pastrojë veten e vet. Ai që udhëhiqte Shqipërinë u mundua të krijojë një klasë politike udhëheqëse, që do të ishte vazhduesja e tij dhe spastroi njerëzit që ai mendonte se mund të ishin pengesë. Në këtë sfond ngjarjesh shumë tragjik është vendosur romani. Festivali i 11-të tregonte që Shqipëria dëshironte të hapej nga Perëndimi dhe qe një provë e kësaj dëshire, por edhe një dëshmi ndaj atyre kancelerive perëndimore që i kishin thënë Shqipërisë hapu, liberalizohu. Si duket, këto porta nuk u hapën.

 

Për këto vite janë shkruar edhe më parë kujtime. Çfarë ka ngelur pa u thënë?

Janë shkruar disa libra me kujtime nga Todi Lubonja, ish-drejtor i atëhershëm i Radio-Televizionit; ka shkruar Spartak Ngjela te libri i tij i fundit; ka kujtime të Skifter Këlliçit. Sigurisht secili e ka rrokur atë në një kënd të vetin, si e ka parë ai atë ngjarje. Kjo është një periudhë historike, që vazhdon të rishfaqet prej 20 vitesh në gazetat shqiptare dhe mbetet nyje ende e pazbërthyer. Ashtu si vdekja e Mehmet Shehut. Libri “Sytë e gështenjave të egra” tenton të kapë njërën anë. Si e kanë përjetuar artistët atë periudhë, por afresku është më i gjerë dhe më i madh dhe do donte një roman tragjiko-epik për ta rrokur gjithë kohën. Romani më tepër ka një ton poetik, ndonjëherë filozofik dhe mbahet në problemin e brendshëm të personazhit, sesa në pikëzimin në formë afresku të gjithë tablosë së komunizmit shqiptar në ato vite.

Nga moria e historive të prekura në roman, ngelen në mendje dy prej tyre. Historia e trombistit dhe gazetarit, që të dy me një fat tragjik.

I pari ishte Gaspër Çurçia. Ka pasur një kompleks xhazi, një orkestër frymore që ishte e vetmja në Radio-Tirana, e krijuar prej tij. Ai ishte një trombist, dirigjent, orkestrues i shkëlqyer. U mundua të mbijetojë në Tiranë, por pati një fat tragjik. Ai përfundoi i pushkatuar nga diktatura, për arsye të tjera që nuk lidhen me artin. Por kur njeriu përjashtohet nga një vend pune që e meriton të jetë, poshtërohet. E kam pasur mik Gasperin, e kam përjetuar dhimbjen e tij, të familjes së tij. I çuan në një fshat afër majës së malit të Tomorrit dhe atje mbeten deri më 1991-n. Me shumë tragjedi, me shumë peripeci u kthyen në Tiranë pas përmbysjes së komunizmit. Disa nga fëmijët janë jashtë. Ajo ishte një periudhë që kullon pikëllim dhe kam dashur t’i shmangem kësaj pjese në libër.

 

Kush është Mitja i romanit?

Ka një motiv në libër që është ndërtuar mbi jetën Viktor Qurkut, e njërit prej poetëve dhe gazetarëve të njohur të asaj kohe. Viktori u ndëshkua në atë periudhë për arsye se një poemë e tij në shtypin e kohës u quajt liberale. Mbas kësaj, ai pësoi edhe një zhgënjim tjetër në planin personal. Një ndarje nga e dashur e tij. Të dyja këto ngjarje bënë që të kalojë në depresion. E hoqën prej gazetës “Drita”, e çuan diku punonjës në Pallatin e Kulturës. Kjo ishte një zbritje në karrierë të cilën ai prapë nuk e kaloi dot. Në kohën që priste shpërblime, mori ndëshkime të njëpasnjëshme. Aparati i tij nervor u shkatërrua, iu nënshtrua ilaçeve, gjendja shpirtërore rëndohej… psikoza, neuroza… nuk shkruante, nuk lexonte, kaloi në anën më të keqe të tij, në urrejtjen e gjithë botës, e gjithë njerëzve. Kjo sigurisht gjendjen e tij e përkeqësoi në pakthim dhe ai nuk ishte më vetja. Në një moment vetëdijësimi për katandisjen e vet, ai u kthye në fshatin e tij të lindjes, në Çorraj. Atje i dha fund jetës, u hodh nga një shkëmb. Ishte kohë që donte nerva të forta. Dikush i kishte, dikush nuk i pati.

 

Po historia juaj cila është?

Unë shkova në Memaliaj, punova 6 vjet minator, nga viti 1974 deri më ‘80-ën. U mundova të mbijetoj duke punuar punë të rëndë, në minierë, nëntokë. Ishte e vështirë. Gjatë punës në minierë, pranë meje u vranë njerëz. Doja që në radhë të parë të mos dilja i sakatuar, mos të humbisja jetën. Të duhej të jetoje edhe shpirtërisht që të mos shkatërroheshe, të përballeshe me punën e rëndë, me mjedisin shoqëror që të shikonte si të huaj. Këto nuk i kam në vepër. Ka pasur të tjerë që kanë humbur njerëzit, kanë humbur jetën, kanë humbur më shumë. Nuk e kam pasur qëllim rrëfimin personal, por krijimin e një libri. Nëse do të kem jetë të gjatë dhe shëndet, do të shkruaj kujtime.

 

Përse ju larguan nga Tirana?

Unë e kam të vështirë të dal e të flas. Edhe në libër, personazhi kryesor nuk është një njeri që i kundërvihet kohës, është një njeri që mundohet të mbijetojë. Më 19722 botovaa një libër i cili u kritikua për disa poezi, libri i parë “Rrënjët”. Më pas ai u ndalua, u hoq nga qarkullimi… m’u hoq e drejta e botimit.

 

Diku në roman shënohet: “koha e sotme është tallur me burgun, me vuajtjet”…

Në vepër ndonjëherë kanë rrëshqitur fraza që i takojnë më tepër stilit të publicistikës, sesa të prozës rrëfimtare. Ato janë kaq direkte, saqë nuk meritojnë të jenë në libër. Nuk janë ato që përbëjnë mesazhin, ose mund të jenë fare anësore. Vepra më tepër sesa të hapur e ka të fshehur mesazhin.

 

Vepra mbyllet me një lloj mëshire ndaj personazheve të nomenklaturës.

Eksponentët kryesorë të diktaturës kanë qenë njerëz që kanë kryer krime, edhe ndaj vetes së tyre, ndaj shtresës së tyre. Edhe ata që e pësuan, u vetëasgjësuan po prej krimit që kishin ngritur me dorën e tyre. A duhet pasur mëshirë për këta njerëz? Po njeriu mund të ketë. Deri sa jemi njerëz, për gjithë njerëzit duhet pasur mëshirë, në planin e ndëshkimit të tyre për krimet e kryera, këtu nuk ka mëshirë. Pjesa e tyre njerëzore, e vuajtjeve të tyre, të familjeve të tyre e meriton mëshirën. Ashtu si për kriminelin më të madh, në fund prifti vete dhe i thotë: “Kthehu, pendohu. Pranoje të mirën, pranoje Zotin dhe do të jesh i falur.” Do jesh i falur në përjetësi, në botën tjetër. Në përgjithësi, ky duhet të jetë qëndrimi edhe ndaj tyre. Ata nuk janë të falur në këtë botë, për atë që kanë bërë, por si njerëz, edhe për ata mund të ketë mëshirë. Është një problem tjetër ndëshkimi i krimeve të diktaturës. Krimet e nazizmit patën një Nurenberg, komunizmi nuk pati. Krimet e diktaturës u shkrinë midis nesh. Ky është një problem që do ta zgjasë agoninë shqiptare në shumë plane. Nëse ajo periudhë e hipokrizisë, e të jetuarit me krimin, solli po këtë periudhë e të jetuarit me krimin, kjo i hap rrugë krimeve të tjera që ende po ndodhin . E ruajtëm komunizmin brenda nesh, nuk e ndëshkuam. Sido që të jetë, brenda filozofisë sime, edhe nëse do t’i kishim ndëshkuar, varur në litar, persekutuar këta njerëz, si do ta ndëshkonim mendësinë e tyre, filozofinë e tyre. Varet ajo?

 

 

Ky shkrim është lexuar 23 herë!

Share and Enjoy

Më pëlqen & Komente

Leave a Reply