Ribashkimi i shqiptarëve preventiv dhe akt i domosdorshëm i qetësimit në Ballkan dhe Evropë

Nga Asllan Dibrani    Raportet politike  gjithmonë kanë qenë   të ngrira me Serbinë dhe me  popujt  grabitqar  fqinje që as edhe një shtet  fqinjë nuk  është formuar  pa gllabëruar tokat shqiptare. Kjo Lexo më tej

“JUP KASTRATI KY BIR (K…) I MADH I SHKODRES ! 2

Nga Fritz Radovani, pjesa e dytë Nga ky dokument i botuem nga anadollaku “ dr. prof.” Jup Kastrati “Parathanje” e librit të Rakip Beqaj: “Veprimtaria Antikombëtare e Klerit Katolik Shqiptar”, kam besimin Lexo më tej

PERDORIMI I TERMIT “SHQIPRI E MADHE” NE MJETET E INFORMIMIT DHE DEBATE, ESHTE VETVRASES PER POPULLIN SHQIPTARE

R E A G I M  ME  KOMENTIM Nga Prof. Dr. Riza Sadiku Jam një nga lexuesit e rregullte te gazetës ditore ”Zëri”, punën e te cilës e çmoje larte, dhe për Lexo më tej

DISA GABIME TË PAFALSHME TË ZOTIT PLATINI

Nga Vlash Fili   Gjithë bota e pa qartë katrahurën që ndodhi në Beograd, në takimin Sërbi – Shqipëri, e vlefshme për kualifikimin në grup, për Europianin Francë – 2016. Dhe për Lexo më tej

PAPA PALI VI PËR SHQIPTARËT DHE KARRIGA BOSH E SHQIPËRISË NË OKB

Nga Frank Shkreli   Të djelën, në mbyllje të Sinodit të Jashtzakonshëm mbi Familjen që u mbajtë  në Vatikan, Papa Françesku celebroi meshën me këtë rast në Sheshin e Shën Pjetrit.  Gjatë Lexo më tej

Politika e Beogradit sulmon Shqipërinë përmes mercenarëve islamiko-shqiptarë!

Nga Asllan Dibrani   Rastin e  ngritjes së flamurit   etnik shqiptar mbi  Beograd  serbët    e shfrytëzojnë  si propagandë   edhe në fushën  diplomatike. Nga urrejtja dhe   primitivizmi  shekullor i tyre,   Ministria    serbe dhe Lexo më tej

KOSOVA ËSHTË ATY KU KA QENË GJITHËKOHËS,SEPSE KA GJURMË JETE – ASGJKUNDI ARDHACAKËT

Dhjetëra lokalitet arkeologjike  nga rreth 400 gjithsej të evidentuara në territorin e Kosovës  Nga GËZIM LLOJDIA*     1. Njerëzit sllavë, serbët u shfaqën në Ballkan mes shek 6 dhe të 7,(shkruan Lexo më tej

Fati i Kosovës ishte dhe është edhe sot se patëm një diasporë të fuqishme

Nga Ramiz Dërmaku Diaspora  shqiptare e Kosovës ishte ajo e cila mbi 17 vite aparteidi e gjenopsidi, social e kombëtar, nuk lejoi që Kosova  t’i nënshtrohet Serbisë për një kafshatë goje.               Lexo më tej

Në përkujtim të 10 vjetorit të Anita Bitrit

Mbresa dhe kujtime nga një tragjedi shqiptare në Amerikë që mori jetën e tri hyjneshave shqiptare Nga Keze Kozeta Zylo Ndonëse ka kaluar një dekadë që nga ikja tragjike e artistes së Lexo më tej

Kanibalët dhe Shqiptarët

Nga Aurel Dasareti*   Ulërima në kor e 35.000 bretkosave kanibal serb:”Vritini, vritini shqiptarët, masakrojini, derisa të mos mbetet asnjë gjurmë shqiptari mbi tokë” na i kujton ulërimat e nazistëve të Hitlerit Lexo më tej

 

LUFTËTARIN E LIRISË QË NJË PJESË TË TRUPIT IA FALI BETEJËS SË KOSHARES DHE PAS ÇLIRIMIT VENDOSI TË JETOJË NË KOSOVË

Bisedoi Sefedin Krasniqi

Lexues të nderuar, pjesën më të madhe të bisedës me Xajë Çelën, që do ta lexoni në vazhdim, e kam realizuar në vitin 2005, gjatë një qëndrimi të tij në Zvicër, në javën përkujtimore për heroin e kombit Sali Çekaj. Për motive që tashmë dihen dhe rrethanat e Kosovës së asaj kohe, pata vendosur ta ruaj për një ditë më të mirë…

Tash që haptas u kërkua, dihet nga kush, në një emision televiziv, “të ndryshoj qëndrimi ndaj Sali Çekajt”, vendosa edhe unë t’ia “ hjek pluhurin” edhe kësaj bisede. Por, arsyeja e vërtetë është se historisë ia kemi borxh faktet e pamohueshme sikur që ua kemi borxh kujtimin dëshmorëve të gjallë e të rënë për çlirimin e atdheut.

Bisedë me Xajë Çelën

Sefedin Krasniqi

Kosova është çliruar nga okupimi klasik serb dhe para katër viteve është shpallur edhe Pavarësia e shumëpritur. Para luftës çlirimtare, në Kosovë kanë ndodhur shumë ngjarje të jashtëzakonshme që shpesh kanë tronditur, përveç shqiptarët, edhe opinion ndërkombëtar. Meqenëse, ne shqiptarët e Kosovës kishim një terr informativ sa i përket Shqipërisë, përveç ndonjë lajmi që shërbente më shumë për propagandë se për interesim të vërtetë ndaj Kosovës, si përjetoheshin këto ngjarje në Shqipëri, nga popullata, në fillim të kësaj bisede do të mësojmë nga z. Xajë Çela, i lindur në Sopot të Tropojes.

Në vazhdim Xajë Çela, për lexuesit e gazetës “Bota sot” do të rrëfej edhe për veprimtarinë dhe kontributin e tij prej çlirimtari të Kosovës deri në momentin kur plagoset rëndë në Koshare (1994-1999).

Gjatë periudhës pesë vjeçare, Xajë Çela do të kryej detyra tepër të rëndësishme si; furnizues me armatime, shoqërues veprimtarësh dhe rekrutësh, korrier lufte, vëzhgues terreni, pjesëmarrës në aksione kundër forcave serbe dhe luftëtar i grupit “Kobra” si dhe pjesëmarrës në Betejën e lavdishme të Koshares.

Zotëri Çela, cila ngjarje ka bërë jehonë më të madhe që Xajë Çela të mendoj për Kosovën, si territor shqiptar, të cilin duhet çliruar nga Serbia ?

Xajë Çela : Është e vërtete që çdo ngjarje me karakter kombëtar, që ka ndodhur në Kosovë, është reflektuar edhe në Shqipëri. Me theks të veçantë në veriun e saj, por as jugu s’ka qenë indiferent, sepse për problemet kombëtare në tërë Shqipërinë patriotët as s’kanë munguar, as nuk mungojnë. Kështu, gjeneratën time, jehona bujshme e demonstratave të viti 1981 e ka vetëdijesuar më së shumti dhe te ne ka mbjellë dëshirën e zellin për çlirimin e Kosovës. Vazhdimisht kam menduar sesi të jap kontributin tim për këtë çështje.

Z. Xajë Çela, kur filloin kontributi yt për Kosovën dhe me kë e keni nisur?

Xajë Çela : Kontributin time e kam filluar në vitet 1994 kur mu dha rasti të bie në kontakt me Grupin e Sali Çekajt ku bënin pjesë Saim Tahiraj, Ismet Çeku dhe Zenun Idrizi, me të cilët u takova në shtëpinë e kushëririt tim Shpend Çela, në Sopot të Tropojes, ku kishim një sasi armatimesh dhe të municioneve. Prej momentit të takimit u bëra besniku i bazës së armatimeve dhe besnik i këtij grupi, i cili edhe më herët kishte vepruar në territorin e Shqipërisë. Më vonë u bëra edhe shoqërues i tyre në bartjen e armatimeve nga territori i Shqipërisë për në Kosovë. Pra, me këta vullnetarë dhe veprimtarë të Kosovës u njoha nëpërmes kushëririt tim Shpend Çela, e këta me Shpendin ishin njohur shumë më herët. Një natë kur donin të kalonin kufirin për Kosovë, Shpendi që i kishte shoqëruar herëve tjera, nuk mundi, sepse e pati babën të sëmurë. Dhe kështu nga viti 1994 kemi kaluar kufirin Shqiperi-Kosovë disa herë.

Por, do të veçoja mesin e prillit të pranverës së vitit 1998, atëherë kur këta djem i kam shoqëruar me armatime për të kaluar kufirin nga territori i Shqipërisë në drejtim të Kosovës.

Cili vit ka qenë kur edhe ti hyre në Kosovë i armatosur, nga cila pikë jeni nisur dhe në ç’dretim ?

Xajë Çela : Ka qenë viti 1998. Jemi nisur nga Viçidoli në drejtim të Lugut Zi, që gjendet në terrenin e Shqipërisë dhe depërtuam në Kosovë. Në këtë rrugë, kur kalohet në territorin e Kosovës është një urë ku forcat serbe, shpesh, bënin roje. Pasi këtë mision e kisha marrë shumë seriozisht, kur iu afruam urës iu thashë : Ndaluni ju për një moment dhe më prisni këtu derisa ta kontrolloj urën. Këta nuk pranuan dhe më thanë : « Ti vetëm nuk do të vritesh, ose do të vritemi të gjithë ose do të shpëtojmë të gjithë ». Bëmë përgatitjet e duhura duke u rreshtuar në formacion luftimi, me distancë të mjaftueshme deri në dhjetë metra largësi mes njëri tjetrit. Pra, urën e kemi kaluar në formacion luftimi. Fatmirësisht nuk kishte pasur pritë. Kemi vazhduar rrugën nëpër male duke kaluar afër Smolicës, pastaj kah Pacajt, Rasatavicë e deri në Beleg tek shtëpia e Saim Tahirajt ku qëndruam disa ditë. Kështu edhe jam njoftuar me terrenin që shpesh e kisha imagjinuar.

Pasi kalimi i kufirit Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas ka qenë gjithmonë me rreziqe të mëdha, si ishte atmosfera, a kishte besim të plotë mes jush ?

Xajë Çela : Gjatë rrugës kur bisedonin më bëhej se kishin rezerva. I kuptoja. Ishte situata e rrezikshme, sepse grupi i Sali Çekajt kishte njerëz që vepronin edhe brenda në Kosovë. Këtë e kuptova kur këta që i shoqëroja i dërguan një porosi Adem Ukëhaxhajt për tu takuar. Përmbajtjen në detaje nuk e dija, sepse as që më interesonte, mua më shumë më impresiononte vullneti dhe ideali i tyre. Nga ana tjetër, unë shkëlqeja nga kënaqësia që mu kishte dhënë rasti ta realizoj dëshirën time duke dhënë një kontribut konkret për Kosovën që aq shumë e kisha ëndërruar.

A vazhdoi ky bashkëpunim edhe më vonë, apo ky ishte udhëtimi yt i parë dhe i fundit në Kosovë në kuptimin e pjesëmarrjes në përgatitjen e luftës çlirimtare të Kosovës?

Xajë Çela : Bashkëpunimi jonë ka vazhduar madje edhe më vrullshëm dhe më i frytshëm u realizua me kyçjen time në shumë aksione në luftën e haptë deri në Betejën e famshme të Koshares. Përpjekjet e mia për çlirimin e Kosovës u ndërprenë vetëm atëherë kur u plagosa rëndë në Koshare, më 20 prill 1999. Plaga ishte aq e rëndë sa eprorët e mi kishin vendosur të më dërgonin për shërim në Tiranë e pastaj në Itali (Milano). Para se të flas për këto ngjarje do të ndalesha në aktivitetin tim dhe bashkëpunim personal me Grupin e Sali Çekajt e më vonë edhe në Ministrinë e Luftës së Kosovës.

Atëherë si rrodhi ky proces dhe sa kohë zgjati?

Xajë Çela : Kah fundi i marsit 1998, me grupin e Sali Çekajt prapë u futëm në Kosovë. Kishte ardhur koha të kryenim detyra edhe më të rëndësishme, sespe lufta trokiste në çdo derë shtëpie në Kosovë. Pasi kryem detyrat që na ishin ngarkuar, grupit që u fut në Kosovë, në të kthyer në Shqipëri iu bashkëngjit Adem Ukëhaxhaj, Daut Berisha, Halil Geci dhe Hamid Gashi. Kur kaluam në territorin e Shqipërisë jemi ndalur në Sopot në shtëpinë time dhe fjetëm një natë. Të nesërmen, Shpend Çela i ka përcjellë deri në Bajram Curr, prej aty për Tiranë. Adem Ukëhaxhaj kishte takuar në Tiranë Ahmet Krasniqin-ministrin e Mbrojtjes së Kosovës dhe kishte marrë detyra prej tij. Këtë ma tha Ademi kur u kthye pas një jave në bazë të Tropojës. I pranishëm ka qenë edhe Daut Berisha nga Duboviku. Jemi ngarkuar me armatime dhe prapë kemi hy në Kosovë. Kësaj radhe kemi hy në drejtimin e Papajve.

Sa veta keni qenë kur u kthyet serish në Kosovë?

Xajë Çela : Kemi qenë tre veta: Adem Ukëhaxhaj, Daut Berisha dhe unë. Pasi kaluam kufirin nga C2, Kërshi Yllit, Livadhi i madh, Sloka arritëm në shtëpinë e Sadri Lokajt, në Voksh, aty edhe pushuam pak. Pastaj, natën shkuam në Carrabreg në shtëpinë e Adem Ukëhaxhajt ku kaluam natën. Të nesërmen, Ademi ka filluar të organizojë disa djem për të marrë armatime në Tropojë. Ishin njëzet e dy veta. Ademi ka ardhur me ne deri në Voksh. Atyre u dha detyra ushtarake dhe në ndarje u ka thënë: “Nga ky moment jeni nën përcjelljen e Xajë Çelës”. Fillimisht i porosita të mos ndiznin cigare, të mbajnë qetësi dhe të mbajnë distancë nga njëri-tjetri. Ademi ndejti në Voksh, e ne vazhduam rrugën për në Tropojë ku e kishim bazën e armatimeve. Pas dy ditësh, pasi u pajisëm me armë dhe municione, u kthyem në Voksh. Prapë u takuam me Adem Ukëhaxhajn, i cili vazhdoi të kontrollojë dhe organizojë djem edhe nga fshatrat tjera të Deçanit. Këtu do të veçoja vetëm një rast atë të Strellcit të Ulët dhe të Epërm ku si njohës i mirë i terrenit për përcjellje të më se nëntëdhjetë vetave erdhi me ne edhe Shaban Ramë Avdimetaj.

Si i përgjigjej populli mobilizimit? Si kaluat kufirin dhe në ç ’drejtim, sepse të shoqërosh nëntëdhjetë veta është përgjegjësi e madhe kur dihej rreziku nga forcat serbe?

Xajë Çela : Për mobilizim nuk ka pasur probleme, sepse njerëzit mezi e kishin pritur këtë ditë, por armatime duheshin edhe atë të gjithë kalibrave.

Nisja për Shqipëri u bë nga Strellci i Epërm, te mulliri. Vazhduam kah Gurrat e Bardha, Guri i Nuses, pra nga Bjeshkët e Strellcit në drejtim të Roshkodolit, nga aty në Bogiçe, te trekëndëshi në kufi në mes të Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë, për të vazhduar në drejtimin Dobordol, Sylbicë, Tropojë. Ky ka qenë rrugëtim shumë rraskapitës dhe tepër i rrezikshëm. Disa djemve u kishte rënë krejt lëkura e këmbëve. Edhe pse u pajisen me armatime, para një jave nuk munden të kthehen në Kosovë. Tre ushtarë mbeten aty, sepse nuk ishin shëruar ende. Kështu vendosen Adem Ukëhaxhaj dhe Shaban Avdimetaj për t’iu shmangur ndonjë prite të mundshme nëse shkonim në drejtim të Vokshit.

Pasi u pajisëm të gjithë me armatime dhe municione të nevojshme u bëmë gati për rrugë dhe u nisëm me ata që ishin në gjendje fizike të përballonin udhëtimin.

Dhe prapë ti Xajë me ta u ktheve në Kosovë? Si ia dilje?

Xajë Çela : Po, po, kjo ishte zgjedhja dhe dëshira ime e flaktë. Pra, u nisëm për Kosovë në drejtimin Papaj, Padesh, Rebje, C2, Kërrshi Yllit, poshtë Jedovës dhe kemi arritur në Voksh. Kështu kam pritur e përcjellë andej e këndej kufirit grupe të ndryshme vullnetarësh, ushtarësh, çlirimtarësh të ngarkuar me armatime dhe municione që shërbyen për kryerjen e aksioneve kundër forcave serbe deri në çlirimin e Kosovës.

Përveç oficerit të karrierës si Adem Ukëhaxhaj më kë tjetër keni pasur rastin të takoheni që bënte pjesë në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe ku?

Xajë Çela : Përveç Ademit, jam takuar me kolonelin Tahir Zemaj dhe shumë oficerë tjerë në Viçidol, por para takimit me kolonelin Zemaj, ndodhi një ngjarje tjetër që me këtë rast dua ta theksoj.

Meqenëse në Tropojë, kah fundi i majit 1998, na është thyer depoja (kulla) e armatimeve, pronar i së cilës ishte Naim Haxhija, pas një ore, Bekë Osmonaj është takuar me Muharrem Tafaj, polic i kufirit, dhe ka kërkuar, nga ai që baza të vendoset në Viçidol. Të nesërmen është vendosur armatimi në bazën e re, në shkollën e Viçidolit. Deshmitarë ishin Zenun Idrizi dhe Bekë Osmonaj. I pranishëm ka qenë edhe Muhamet Imeraj nga Isniqi.

E në Viçidol, Zenun Idrizaj më njoftoi me kolonelin Tahir Zemaj dhe më tha: “Ky është komandant Tahir Zemaj” i cili do të bëhet komandant për Rrafshin e Dukagjinit. Përveç Tahir Zemajt, aty kishte edhe oficerë të tjerë që, më vonë, morën pjesë edhe në betim që u organizua nga Ministria e Mbrojtjes. Emrat e këtyre oficerëve do t’i përmend, më vonë, me rastin e dhënies së betimit.

Tahir Zemaj së bashku me eprorët bëri një takim. Pas këtij takimi më ngarkoi me një mision të ri.

Cili ishte ai mision?

Xajë Çela : Ky mision ishte që unë tash ngarkohesha në rolin e korrierit. Misioni im i parë ishte të hyja prapë në Kosovë dhe të takohem me Rrustem Bruqin që, tashmë, vepronte në Kosovë dhe ishte gjithashtu pjesëtar i grupit të Sali Çekut. Kisha një letër që duhej t’ia dorëzoja. Pasi në këtë kohë ende s’e njihja Rrustemin, mendoja ta marrë me vete Shaban Ramë Avdimetaj të më njoftojë me té dhe kështu veprova. Kur arrita në Voksh më informuan (Sadri Lokaj, Ermal Guri, Naser Shatri) që nuk kalohej në drejtim të magjistrales Deçan – Rastavicë. Në këtë kohë erdhën dy djem për të kërkuar ndihmë për Junikun. Ata ishin Ramë Uka (Ratish), Begë Riza (Prokollukë). Kur këta djem u kthyen për Junik, unë shkova me ta deri ne Gacafer dhe fjeta në shtëpinë e Sylë Mehmetit. Të nesërmen, nga Juniku vazhdova rrugën për Dobrosh, Pacaj, Hereç, Gllogjan. Në Gllogjan arrita në orën dy të natës, fjeta aty. Në mëngjes vazhdova rrugën për në Strellc te Shaban Rama, i cili më dërgoi te Rrustem Bruqi. Kur u takova me Rrustemin, ia dorëzova letrën, i pranishëm ka qenë Skënder Rexhahmetaj. Në letër shkruante: “Kërkojmë rekrutë për formimin e Brigadës së Parë Kosovare”. Me këtë kërkesë, fillimisht, nuk u pajtua Rrustem Bruqi për arsye se në atë kohë ishin të rrezikuara shumë fshatra dhe duheshin shumë djem për t’i mbuluar pikat kyçe përreth çdo fshati.

Pse Rrustem Bruçi nuk u pajtua fillimisht dhe pse, në të vërtetë, duhej që rekrutë nga Kosova të dërgoheshin në Shqipëri ?

Xajë Çela : Rrustemi mendonte drejtë, « se ushtarët nuk duhej larguar nga Kosova », por e vërteta ishte se ata ishin ushtarë që kishin vullnet, por nuk kishin as dije të mjaftueshme ushtarake e as përvojë lufte. Pastaj Ministri i Luftës, kolonel Ahmet Krasniqi kishte dhënë urdhër të formoheshin brigadat operative, sepse vetëm brigadat operative sikur ato që, më vonë, morën pjesë në Betejën e lavdishme të Koshares mund ta çlirojnë vendin, ngase ato, veç mbrojtjes kanë për detyrë edhe sulmin dhe shkatërrimin e armiku deri në çlirim të vendit.

Atëherë, si u tejkalua kjo situatë?

Xajë Çela : Pas dy-tre ditëve kjo situatë u qetësua. U organizua një takim në mes të Rrustem Bruqit, Saim Tahiraj, Ismet Çeku dhe kishin vendosur t’i dërgojnë 90 rekrutë për Shqipëri. Përcjelljen e këtyre rekrutëve e ka bërë Saim Tahiraj, Ismet Çeku, Bekë Osmonaj dhe unë. Këta rekrutë janë nisur me datën 15 qershor 1998. Udhëtimi ka vazhduar në drejtimin Isniq, Irzniq Gllogjan, Hereç. Deri në Hereç na ka përcjellë vetë Rrustem Bruqi dhe Naim Bajraktari, të cilët edhe e bllokuan rrugën në Hereç. Përgjegjës për grupin nga Isniqi ka qenë Bekë Osmonaj.

Në Junik kemi fjetur, të nesërmen vazhduam rrugën nga Juniku për Gjocaj. Në Gjocaj na u bashkëngjit edhe Bajram Maloku (Gjocaj) dhe vazhduam rrugëtimin për në Viçidol, Papaj.

Në Papaj u përgatitëm dhe bëmë betimin eprorë dhe ushtarë të gjithë së bashku dhe ndjenim kënaqësi të veçantë kur shikonim rregull dhe disiplinë ushtarake. U rreshtuam me shumë krenari nën urdhrat e institucioneve të atëhershme të Republikës së Kosovës për çlirimin e atdheut dhe pranuam Ministrinë e Mbrojtjes (apo më mirë Ministrinë e Luftës) të cilën e udhëhiqte kolonel Ahmet Krasniqi. Ai ia dorëzoi flamurin kombëtar komandantit Tahir Zemaj. Në këtë rreshtim përveç ushtarëve ishin të pranishëm edhe shumë eprorë si: Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Lumni Surdulli, Faruk Xhemajli, Sefedin Kuçi, Farush Thaçi, Musë Gjakova, Ismet Ibishi, Fadil Hadërgjonaj, Kemajl Shaqiri, Shemsedin Fetahu, Nazif Ramabaja, Bajram Stojkaj, Sebahate Tolaj.

Pasi u dha betimi dhe iu dorëzua flamuri Komandantit Tahir Zemaj nga ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, cili ishte hapi që u ndërmor në vazhdim?

Diaspora TV

Xajë Çela : Sali Çekaj me grupin e vet, pasi tashmë kishte përvojë, në cilësinë e vëzhgueseve të terrenit i parapriu kalimit të kufirit dhe hymë në Kosovë. U vendosëm në Jasiq për disa ditë. Pritja nga banorët, në këtë fshat, ishte jashtëzakonisht e mirë. U vendosëm në shtëpitë e tyre. Me Agim Ramadanin u vendosën në shtëpinë e Osman Jasiqit, Ali Ibrës, Halit Hysenit, ndërsa oficerët tjerë me Tahir Zemaj u vendosën në shtëpinë e Isuf Rexhep Jasiqit. Pas disa dite të qëndrimit në Jasiq, u vendos që Tahir Zemaj të shkojë në Isniq dhe Prapaqan. Në Jasiq kemi qëndruar Rrustem Beisha, Agim Ramadani, Refki Basha, Astrit Ademaj dhe unë – Xajë Çela.

Pse u bë kjo ndarje dhe pse mbetët ju në Jasiq?

Këtu i prisnim armatimet moderne sipas premtimeve dhe ushtarët. U dëshpëruam kur na informuan se këto armatime ishin bllokuar në portin e Durrësit nga qeveria e atëhershme e Shqipërisë që udhëhiqej nga kryeministri Nano. Megjithatë, vazhduam me përgatitjet me djemtë e Jasiqit, Gjocajve dhe të Junikut duke vendosur roje në pikat kyçe përreth këtyre fshatrave, si në pikat Gunovc, Kumurec etj. Në Jasiq, gjithashtu, u formua grupi vëzhgues në krye me Agim Ramadanin dhe pjesëtarët tjerë si Refki Basha, Qamil Jasiqi, Bashkim Jasiqi, Avdyl Jasiqi, Fatmir Jasiqi dhe unë.

Vëzhguam të gjitha anët si nga Badra, Jedova në Fierëza, pastaj nga ana e Vokshit, Rogopeq, Kershi Yllit, Gomure dhe nga pjesa e Botushës.

Gjatë vëzhgimit a kishte në dukje forca serbe?

Xajë Çela : Po, gjatë vëzhgimit, në anën e Botushes, në rrugën drejtë Junikut, ishin të pozicionuara shumë forca serbe dhe mjete motorike të cilat vazhdonin të shtohen. Në mbrëmje, si zakonisht i raportuam komandantit të grupit tonë Agim Ramadanit dhe konstatuam me bindje të plotë se forcat serbe do të tentojnë të marrin Junikun nën kontroll dhe me të vërtetë ashtu edhe ndodhi. Në mëngjes, e sulmuan Junikun, por falë rezistencës së luftëtarëve trima, serbëve u dështoi plani. Po atë ditë, me Rrustem Berishen i dolëm në ndihmë Junikut me djemtë e Jasiqit.

Ditën e dytë në ndihmë të Junikut ishim me Agim Ramadanin. Forcat serbe, pas dështimit të marrjes së Junikut, sulmuan nga ana e Zharrës për të futur nën kontroll fshatin Gjocaj, Jasiq dhe prapë dështuan. Nga serbët pati shumë të vrarë oficerë dhe ushtarë. Kjo u realizuar falë ushtarëve trima që luftuan deri në rënien e tyre heroike si: Avdyl Jasiqi, Shkëlzen Gacaferi, Arif Gjocaj me datën 28 korrik 1998.

Dhe kjo ishte një luftë e vërtetë për pozicione dhe territore?

Xajë Çela : Luftë dhe e rreptë madje, por përveç aksioneve për pozicione, ne duhej të bënim luftë edhe për tërheqjen e kufomave të ushtarëve të rënë. Me Agim Ramadanin e bëmë tërheqjen e kufomës së Avdyl Jasiqit, e të një djaloshi nga Strellci e kemi bërë me Rrustem Berishën. Pastaj sipër Gjocajve, në Rrafshe sulmuan një picgauver që shkonte drejtë Gomurës dhe asgjësuam disa ushtarë serb. Në këtë aksion morën pjesë: Agim Ramadani, Qamil Jasiqi, Demë Maloku, Shkëlzen Jasiqi, Sefadin Jasiqi, Refki Basha dhe unë.

Pastaj prapë nga ana e Vokshit në Fierëza zbuluam dhe sulmuam një bateri të forcave serbe që u shërbente për dhënien e koordinatave artilerike. Serbët patën shumë humbje, por edhe ne patëm humbje. Ne ua morëm një sasi të madhe të armatimit falë këtij grupi sulmues ku bënin pjesë: Bashkim Jasiqi, Qamil Jasiqi, Xhafer Jasiqi, Shkelzen Jasiqi, Sefadin Jasiqi, Demë Maloku dhe unë.

Pas këtyre luftime të rrepta çfarë ndodhi me popullatën e kësaj ane?

Xajë Çela : Gjendja ishte shumë e rëndë. Filloi tërheqja e popullatës së Junikut, Gjocajve e Jasiqit e Vokshit. Kjo zhvendosje e popullatës filloi më 13 gusht 1998. Në drejtim të Tropojës u formua një kolonë e madhe me pleq, gra, fëmijë dhe të plagosur.

Përcjellës i kësaj kolone ishte Agim Ramadani, Rrustem Berisha dhe djemtë e Jasiqit dhe të Gjocajve. Gjatë rrugës hasëm në mina, të cilat, i ç’dominuam me Agim Ramadanin dhe kaluam në Padesh pa ndonjë problem. Disa djem u vendosen në Papaj, sepse një pjesë shkuan për t’i vendosur familjet e tyre në vende të sigurta. Edhe pse ishim numër i vogël i luftëtarëve vazhduam përsëri me vëzhgime dhe aksione guerile gjatë gjithë kohës. Ndërkohë filloi të rritej edhe numri i luftëtarëve të forcave tona. Vezhgimet i bënim nga trekëndëshi i kufirit Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë dhe deri në Vllahën nga ana e Krumes drejt me Goden.

Më sa më kujtohet, sipas pamjeve që emetonin televizionet e gjithë botës, kjo valë refugjates drejtë Shqipërisë, u pasua me një tjetër edhe më të madhe pak kohë më vonë. A mendoni se regjimi i Millosheviqit kishte filluar spastrimin etnik të Kosovës?

Xajë Çela : Në shtator të vitit 1998, me fillimin e tërheqjes së popullatës shqiptare nga komuna e Deçanit, spastrimi etnik, që tashmë kishte filluar të intensifikohej, filloi të marrë përmasa marramendëse. Kishte marrë urdhër edhe Tahir Zemaj të bëj një tërheqje taktike me ushtarët e vet nga Prapaqani.

Grupi jonë në krye me Agim Ramadanin, Sali Çekajn Rrustem Berishen si dhe ushtarë tjerë dolëm që t’i presim në bjeshkët e Sulbicës. Ne i prisnim konkretisht në qafën e Ali Çelës mes Dobërdolit e Sulbicës. Me veti kishim municion, ushqime si dhe veshmbathje. Filluan të vinin grupe të civilëve të shoqëruar nga ushtarë të UÇK-së. Ata na treguan se pjesa më e madhe e popullatës së bashku me Tahir Zemajn dhe shumë ushtarë kishin kaluar në Mal të Zi. Fatkeqësisht në Bogiçe kishin rënë në pritë disa ushtarë.

Pastaj Rrustem Berisha, Sali Çekaj dhe një pjesë e ushtarëve u kthyen në Papaj. Ndërsa Agim Ramadani, Demush Gacaferi, Demë Maloku, Adem Haxhosaj, Xhafer Gashi, Shiqer Maloku, Agron Isufi dhe unë vendosëm t’i kundërpërgjigjemi pritës së Bogiçës dhe pikërisht ndërmarrim aksion në Karakollin e Plloçicës së Junikut, më 15 shtator 1998, rreth orës 07:00 të mëngjesit. Vëzhguam rreth dy orë karakollin, nga ku dolën në oborr shumë ushtarë serb. Në mesin e tyre dy oficerë që dalloheshin shumë qartë, pasi që i kishim në afërsi. Ne e kishim bërë planin e sulmit dhe morëm në shënjestër tre roje të armatosura, një zolë në mesin e ushtarëve, ku ishin edhe oficerët, zolën tjetër në shatorin e madh dhe përnjëherësh hapëm zjarr me mitraloz dhe kallashnikov. Pastaj dëgjova zërin e komandant Agim Ramadanit, “aksioni u krye me sukses. Zjarri zgjati 7 minuta. Xajë tërhiqemi”!

Ushtarët serbë u zunë në befasi, nuk hapën zjarr?

Pasi filluam të tërhiqemi, ushtarët serb hapën zjarr nga karakolli me mitraloz të rëndë, por jo në drejtimin tonë. Me këtë kuptuam se nuk dinin nga ishin sulmuar. Kur arritëm në Qafën e Ali Çelës ishte dëborë dhe serbët na panë në dëborë, gjuajtën me minahedhësa, por tani ishte vonë për ta. Komandant Agim Ramadani na tha: “ për sot mjafton, të kthehemi në bazë, në Papaj”.

Tash mund vetëm të pyes cili ishte aktiviteti apo aksioni i radhës?

Xajë Çela : Prapë vëzhguam në pjesën sipër karakollit të Koshares. Vërejtëm se rrugës për në Gomure lëviznin pincgavera me ushtarë serbë, ndaj dhe sulmuam një pinzgaver dhe vramë disa ushtarë, të cilëve u morëm armë dhe municione, pastaj dylbi nate dhe radiolidhje si dhe tabelat e pinzgaverit. Ky sulm ka ndodhur me 30 shtator 1998.

Këtu dua të theksoj se nga këto aksione të kryera, ne nuk kemi pasur asnjë humbje madje as gërvishtje të ndonjë ushtari tonë.

Çdo aksion luftarak ka karakteristikat e veta që dallon nga të tjerët. Po nga vëzhgimet a keni ndonjë që do ta veçonit?

Xajë Çela: Ishte vjeshtë e vonë e vitit 1998, një grup i udhëhequr nga Sali Çekaj, Qamil Jasiqi, Bashkim Jasiqi, Sefer Berisha, Demir Murseli, Demë Maloku, Shpend Gjoci dhe unë kemi hyrë për të vëzhguar nga Papajt në drejtim të Jedovës dhe kemi arritur të pozicionohemi sipër Koznjerit për të vëzhguar forcat serbe. Posa ra terri në tokë, nisi të bjerë shi e nga mesnata filloi të bie edhe borë. Meqenëse serbët i kishim në afërsi s’mund të lëviznim as të ndiznim zjarr, ishim krejt të lagur, ushqimi na u mbarua, u detyruam për dy ditë të hanim kaça. Ditën e tretë, Sali Çekaj mori një ushtar dhe tha: “mendoj se do të gjejmë molla gjyle në bjeshkën time të Bellesë, dhe vërtetë na i solli mollët, të cilat na ndihmuan për të përballuar këtë rrugë kaq të gjatë përmes dëborës drejtë bazës për në Papaj.

Ju vetë i bënit vëzhgimet dhe aksionet?

Xajë Çela : Vëzhgimet i bënim në çdo kohë pandërprerë. Një ditë, Komandant Agim Ramadani na dha urdhër të vëzhgojmë në pjesën e karakollit të Koshares dhe pikave dominonte përreth që mund të ishin në mbështetje të karakollit. Këto vëzhgime vazhduan për një kohë të gjatë derisa i morëm detalisht çdo të dhënë mbi numrin e forcave serbe, llojet e armatimit që dispononin, mjetet motorike, kohën e ndërrimit dhe të lëvizjes së tyre etj. Bëmë inçizimin e objektit dhe Rrasës së Koshares dhe këtë incizim së bashku me të dhënat tjera ia dorëzuam stafit komandues në Papaj.

Agim Ramadani grupin tonë vëzhgues na pyeti veç e veç si dhe bashkërisht për të dhënë mendimin për marrjen e objektit të Koshares. Pasi dhamë mendimet tona vazhduam përgatitjet, fillimisht nga Papajt u transportua municioni i minahedhësve i nevojshëm, predhat e topave dhe municione tjera të ndryshme. Ato i bartëm me ushtarë me shumë fshehtësi me kuaj dhe nga fundi i operacionit të bartjes edhe me saja dëbore për në pikat kyçe, përreth kufirit. Për këto transportime armatimesh nuk ishin në dijeni të gjithë ushtarët. Personalisht mua, por mendoj edhe Qamil Jasiqit, Agim Ramadani na tregoi për ditën e sulmit për thyerjen e kufirit dy ditë para fillimit. Më datën 09 prill 1999, në shtëpinë e Sadik Bajramit, ku qëndronim gjatë vëzhgimeve, atë natë, erdhi Komandant Agim Ramadani dhe tha: “Xajë, ti je i informuar, ndërsa ju të tjerët përgatituni të shkojmë, sepse erdhi momenti i shumëpritur, të cilin e keni kërkuar me vetiniciativë. Tani e keni detyrë luftarake marrjen (lokalizimin) e objektit të Koshares”.

Atëherë si rrodhi ky aksion që atë kohë pati bërë bujë të madhe?

Xajë Çela : Kemi vazhduar sipas urdhrit, me fshehtësi jemi pozicionuar në afërsi të objektit. Plani ishte që fillimisht të ketë zjarr artilerik dhe me ndërprerjen e këtij zjarri artilerik prisnim momentin të bënim lokalizonim e objektit. Çdo grup të kishte të caktuara pikat mbështetëse të objektit, të bëj lokalizimin e forcave serbe. Kështu, më 9 prill 1999, Rrasa e Koshares si dhe pikat tjera u lokalizuan nga forcat tona. Ndërsa grupi jonë për shkak se nuk mund të bënte ecje paralele me grupin përkrahës që e kishim në krahun e djathtë nuk mundëm të futemi objekt. Në ndërkohë erdhi një urdhër që të tërhiqemi, por këtij urdhri nuk iu bindëm, ne grupi që përbenim grupin “Kobra”, të udhëhequr nga komandanti Naser Vllasi, si dhe grupi përkrahës në krahun e djathtë i udhëhequr nga Skënder Hasangjekaj. Por me 10 prill 1999, grupi jonë e dinim detyrën luftarake dhe vendosëm: Komandant Naser Vllasi, Arif Maloku, Demush Gacaferri, Arben Sejdiu dhe Beqa të veprojnë nga ana e majtë në koordinim me grupin tonë, me Fadil Malokun (Mortaja) , Hysni Rama (Raketa), Qamil Jasiqin dhe unë nga ana e djathtë sipër objektit dhe për këtë e bëmë me dije Skënder Hasangjekaj, sepse e kishim përkrahës me ushtarët e tij në anën e djathtë. Këtë ua tregoi dhe ushtarëve të vet, që të jenë të kujdesshëm në këtë drejtim. Në kohën e nisjes drejt objektit, caktuam Sefer Berishën të mbulonte me zjarr 12.7 pjesën e sipër të Karakollit me qëllim që ushtarët serbë të mos na shikonin nga sipër ecjen tonë drejt objektit. Ecja duhej bërë me kujdes sepse kishte mina, disa shiheshin të vendosura në kunja, dhe duhej c`dominuar, por kishte dhe të mbuluara me borë të cilave ua shihnim vetëm telat. Me këtë ecuri mua më ra pozita që të futem i pari, me kënaqësinë më të madhe të hyj në derën e oborrit të Koshares, i dyti ishte Naser Vllasi, i treti Arif Maloku. Pas mesditës së 10 prillit 1999, gjatë pastrimit të terrenit përreth objektit, u plagos ushtari Albert Kuçi. Naser Vllasi dhe unë kemi qëndruar gjatë gjithë natës poshtë objektit me qëllim të ruajtjes së një rruge kalimi nga mendonim se mund të tentojnë të hyjnë forcat serbe gjatë natës për të rimarrë objektin.

Në mëngjesin e 11 prillit 1999, rreth orës 09:00, u ndërruam nga dy ushtarë për të pushuar. Me të arritur në objekt, pyeta shokët e grupit se ku ishte komandant Agimi. Më treguan që ndodhej brenda në objekt. Hyra brenda për ta takuar. Ai ishte me Anton Çunin. I përshëndeta, më falënderoi personalisht mua si dhe grupin tonë “Kobra” për kryerjen me sukses të detyrës luftarake për marrjen e objektit. Agimi ishte duke vendosur gjoksoren me municion dhe disa bomba dore, dhe duke biseduar gjatë daljes në oborr së bashku ku prisnim ushtarët për nisje, ai tha: “Ne do të dalim në drejtim të Oplosit, ti Xajë a do të vish”? Unë i thash: Për këtë vendos ti komandant. ”Mirë, meqë keni qenë tërë natën me Naserin në roje, hani mëngjesin dhe pushoni” Bëri dy-tre hapa drejt meje, zgjati dorën dhe u përshëndetëm, më tha: “Shihemi”.

Dhe u patë prapë?

Xajë Çela : Fatkeqësisht jo. Ky ishte momenti i fundit i ndarjes me legjendën e luftës së Kosharës, komandant Agim Ramadanin…

A mundët së paku të hani mëngjesin dhe të pushoni?

Xajë Çela : Mund të them se nuk pushuam, sepse nga ana e livadheve drejt varrezave, forcat serbe sulmuan dhe ne shkuam për ndihmë në atë pjesë. Aty patën disa të vrarë. Po atë mbrëmje mora lajmin e hidhur për rënien e komandantit tonë Agim Ramadani “Katana”. Disa ditë më vonë, ishte datë 19 prill 1999, grupi jonë “Kobra” ishim të pozicionuar pas shpinës së forcave serbe në anën e Oplosit. Naser Vllasi na informoi se Sali Cekaj me ushtarët e tij në Rrasë të Kosharës ku po bëheshin luftime të rrepta, kërkonte ndihmë. Ne vazhduam që ti shkojmë në ndihmë, por me të arritur tek kundërajrori i serbëve në Rrasë, veç u errësua. Gjuajtjet e dy palëve u pakësuan dhe ashtu natën u vendosëm në pjesën ku na u kërkua ndihma. Të nesërmen me 20 prill 1999, grupi ynë, filluam të pozicionoheshim në formacion luftimi. Brenda një kohe shumë të shkurtër arritën forcat serbe në afërsi dhe kështu vazhduan luftimet në mes të dy palëve. Ndërkohë në pozitën time, më afrohet nga krahu i djathtë komandant Fadil Hadërgjonaj, dhe më tha: “ Xajë, shkëputemi me pesë-gjashtë ushtarë nga ana e majtë, që t`ua marrim krahun e majtë forcave serbe, e në ndërkohë bëjmë tërheqjen e komandant Sali Çekaj që është vrarë mbrëmë, në kohën kur është kërkuar ndihmë nga pikat tjera”. Pra, nga Fadil Hadëgjonaj morra këtë lajm të hidhur për rënien e Kolosit të kombit, Sali Çekaj.

Fadil Hadërgjonaj, Arben Sejdiu, Demë Maloku dhe disa të tjerë u shkëputëm pak nga e majta e grupit, duke luftuar në distance të afërt me forcat serbe me qëllim marrjen e krahut të majtë të tyre dhe tërheqjen e kufomës së Sali Çekaj. Kishte granatime të shumta të minahedhësve. Unë plagosem rëndë nga një predhë e minahedhësve. Shokët me Fadilin më tërhoqën nga ajo pjesë në drejtim të përroit, ku më dhanë dhe ndihmën e parë dhe me barelë më transportuan për në Partesh, dhe për në spitalin e Bajram Currit. Pastaj më dërgojnë nga Bajram Curri në Tiranë, në Spitalin Ushtarak. Aty kam qëndruar për shërim afër dy muaj. Pasi plaga ishte e karakterit të rëndë, më transferuan për Itali, në Milano, për shërim dhe aty qëndrova deri në shtator të vitit 1999.

Kështu, Xajë Çela vetëm pasi plagoset rënd detyrohet t’i ndërpresë aksionet dhe t’i lë fushëbetejat për çlirimin e Kosovës. Pas shërimit ka vendosur me dëshirë të jetojë në Kosovë, afër bashkëluftëtarëve të vet të gjallë, afër dëshmorëve dhe të komandantëve të rënë heroikisht si Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, të cilët së bashku krijuan bazamentin për t’u shkruar historia e lavdishme të çlirimit të Kosovës. Një histori tjetër, me emra e mbiemra të çlirimtarëve, pa maska e nofka.

Ndoshta, Xaja ka edhe dëshirë të mos e lë vetëm atë pjesën e trupit që ia ka falur çlirimit të Kosovës dhe fëmijëve e gjeneratave që do të rriten, pa frikë, në liri.

 

Sefedin Krasniqi

 

Ky shkrim është lexuar 1358 herë!

Enter your email address:

Delivered by FeedBurner

RadioEmigranti

facebook comments:


Leave a Reply