ATDHETARË SHQIPTARË QË LUFTUEN PER UNITETIN KOMBTAR

Nga Fritz Radovani, pjesa IV  Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë… Nëse dishroni me pa një popull pa t’ ardhme, “shkatrroni shkollat”(F.R.) Prof. Namik Ressuli, nga Berati, shkruen në librin “Shkrimtarët Lexo më tej

TË KRAHASOSH ZVICRËN ME SHQIPËRINË

Nga Elida Buçpapaj   Në Shqipëri ka nisur aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Çdo vit vjedhja arrin në 150 milionë Euro. Dhjetë vjet bëjnë 1.5 miliardë Euro. Shqipëria edhe sot e Lexo më tej

QOFSH GJITHMONË FAQEBARDHË SABRI MAXHUNI

Nga Frank Shkreli Ditët e fundit, media të ndryshme në Shqipëri dhe në Kosovë kanë njoftuar lajmin e mirë se biznesmeni nga Kosova, Sabri Maxhuni u ka propozuar autoriteteve në Tiranë dhe Lexo më tej

A është hero, Ismail Morina?

PSE MEDIAT SHQIPTARE BËJNË PUNËN E SIGURIMIT SEKRET SERB?! Nga Xhafer Leci A më shumë është në favor të Serbisë të zbulohet autori, apo në favor të Shqipërisë? Interesant, më shumë u Lexo më tej

Flluskat e sapunit

Arrestimi i zotit Hajredin Fratari Nga Reshat Kripa   A i keni parë flluakat e sapunit? Ato i fryjnë fëmijtë dhe pasi lodrojnë disa minuta në ajër pëlcasin dhe nuk lenë asnjë Lexo më tej

Kur historinë e shkruajnë profesionistët

Nga Kujtim Mateli Lexuesi ka nëpër duar librin më të ri të studiuesit përmetar Dhimitraq Lole ” Përmeti 1912-1939″. Libri është një studim dinjitoz që analizon jetën ekonomike e shoqërore, politike e Lexo më tej

Po të ishin unike qeveritë e Shqipërisë dhe e Kosovës, a do të kishte mundur UEFA t’i diskriminoj shqiptarët?

Nga Asllan Dibrani   Mediat ndërkombëtare u skandalizuan   me padrejtësinë, por pa efekt  zyrtar    qe u referua nga UEFA qe  vendosi ngjarjen skandaloze në stadiumin e Beogradit ta kthejë në favor të Lexo më tej

Referimi përcakton pritshmëritë

Nga Albi Xhunga   “Edi Rama po vepron keq, po tregon arrogancë me reagimet apo mosreagimet e tij? Ndoshta. Por ama Sali Berisha për çështje të ngjashme ka vepruar më keq, është Lexo më tej

Në vitin shkollor 1974-75,fitova dy emra; “ nacionalistë dhe irredentistë“

Avni Krasniqi apo “Profesori“ që  nuk  më  lejonte  të hyj  në  orën e Historisë,  me xhemperin  Kuq e Zi Nga Ramiz Dërmaku Ishte ditë e dielë, muaji shtator i vitit 1974-75, unë Lexo më tej

Islamizmi ekstrem nuk është besim fetar i njerezve normale

Nga Lek Gjoka   Paqja asnjëhere nuk po arrin dot të vijë në planetin Tokë.Pranvera arabe në të vërtetë arriti të largojë disa diktatorë në Lindjen e e Mesme por Siria prej Lexo më tej

 

Për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe

Nga Prof Emil Lafe

 

 

NGA KOMISIONI I PËRHERSHËM PËR PASURIMIN DHE PASTRIMIN

E MËTEJSHËM TË GJUHËS LETRARE SHQIPE (1979-1990)

TE I QUAJTURI KËSHILL NDËRAKADEMIK PËR GJUHËN SHQIPE

Në mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më 9 janar 1979 prof. E. Çabej mbajti një fjalë të rëndësishme, që u botua me titullin “Për pastërtinë e gjuhës”1. Titulli, ashtu si dhe përmbajtja, të çon te vepra shkencore dhe zelli i pashuar kurrë i Aleksandër Xhuvanit2, te i cili E. Çabej ka parë gjithnjë shëmbëlltyrën e dijetarit me përkushtim të thellë shoqëror e atdhetar.

Në vitet ’70 ishin botuar “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, “Fjalori drejtshkrimor”, “Gramatika e gjuhës shqipe” dhe po shkonte në shtyp “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”. Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor po zgjeroheshin. Marrëdhëniet e gjuhës shqipe me gjuhët perëndimore po shtoheshin. Hynin në përdorim fjalë të reja, terma ose jo, dhe ndër to një varg fjalësh të huaja. Në këto rrethana E. Çabej, që nuk e ndau kurrë interesimin për gjuhën e sotme nga studimet e tij historike-etimologjike, si dekan i gjuhësisë shqiptare ndjeu përgjegjësinë të thoshte fjalën e vet, si më poshtë:

Duke kaluar nga fjalët në punë, jemi të mendimit se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe… Do të duhet një punë individuale dhe kolektive, një punë e re e gjithanshme, punë sistematike dhe me afat të gjatë. Me këtë punë duhet të hapet një faqe e re e historisë sonë gjuhësore, një epokë e re e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës letrare dhe të shkrimit. Duhet të kryhet në atë mes një rishikim i gjithë punës së deritanishme. Do të shqyrtohen nga ky këndvështrim jo vetëm terminologjitë e ndryshme dhe fjalorët terminologjikë, po edhe fjalorët e tjerë që janë punuar deri më sot. Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e të pastrimit të gjuhës.”

Mbi këtë propozim, pas katër muajsh Këshilli i Ministrave nxori vendimin që parashikonte krijimin pranë Këshillit të Ministrave të Komisionit të përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe dhe për krijimin e revistës “Gjuha jonë” (shih shtojcën në fund).

Është me interes të vërehet se nisma për këtë Komision dhe për revistën “Gjuha jonë” erdhi pikërisht nga Eqrem Çabej dhe besoj se kjo ka ndikuar jo pak te zv.kryeministri M. Myftiu, i pranishëm në punimet e Asamblesë, që të dilte vendimi përkatës. Pikërisht ai u caktua nga qeveria që ta kryesonte këtë komision në vitet e para, ndërsa më pas kjo detyrë i kaloi kryetarit të Akademisë, prof. Aleks Budës. Veprimtaria e Komisionit u ndërpre më 1990, pas sëmundjes së A. Budës.

Për veprimtarinë 10-vjeçare të Komisionit janë botuar rregullisht njoftime e materiale në revistën “Gjuha jonë” (shih bibliografinë në fund), por dosja e veprimtarisë së tij është shumë më e vëllimshme. Problemet që shqyrtoi dhe detyrat që shtroi Komisioni gjatë asaj periudhe, paraqiten në mënyrë të përmbledhur më poshtë.

  1. Pasurimi dhe pastrimi i mëtejshëm i gjuhës letrare shqipe.

Që në vitin 1980 Komisioni miratoi platformën e punës për pasurimin dhe pastrimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe, ku përcaktohen drejtimet e punës dhe rrugët e realizimit të kësaj detyre.

Për pasurimin e gjuhës si drejtime kryesore u përcaktuan: a) të zgjerohet e të thellohet studimi i gjuhës letrare në vështrim të mënjanimit të ndikimeve të huaja të dëmshme; b) të punohet për rritjen e mundësive shprehëse të gjuhës sonë, duke pasuruar vazhdimisht leksikun e saj me fjalë të burimit popullor ose të krijuara rishtas; c) të thellohet studimi i sintaksës së gjuhës popullore për të përballuar ndikimet e huaja që vihen re në këtë fushë; ç) të ndiqet gjuha e botimeve dhe e shtypit, të merren masa për mënjanimin e të metave.

Për pastrimin e gjuhës u përcaktuan këto kritere shkencore: a) të merren në shqyrtim kryesisht huazimet e reja, sidomos ato që kanë hyrë pas vitit 1912, sidomos nga italishtja e frëngjishtja, dhe të dallohen shtresat e vjetra të fjalëve të huazuara që janë ngulitur në gjuhën tonë; b) të bëhen përpjekje për të mënjanuar ose për të ngushtuar përdorimin e një numri fjalësh të huazuara nga gjuhët fqinje (sllave, greke turke); c) të mbahet qëndrim objektiv ndaj ndërkombëtarizmave (fjalë ndërkombëtare) dhe, në përgjithësi, të vështrohen si të pranueshme; ç) të merren parasysh vlerat stilistike që kanë fituar fjalët e huaja gjatë përdorimit, në mënyrë që pastërtia e gjuhës të mos varfërojë e dobësojë fuqinë shprehëse të mjeteve stilistike të saj; d) kur nuk është e mundshme që fjala e huaj të zëvendësohet në të gjitha kuptimet, le të mbetet në përdorim në disa prej tyre; dh) të synohet të zëvendësohen edhe elementet fjalëformuese (parashtesa e prapashtesa) kur është e mundshme.

Ndërsa si rrugë kryesore për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës janë përcaktuar: a) shfrytëzimi më i gjerë i visareve të ligjërimit popullor nga të gjitha krahinat, duke hedhur në qarkullim letrar fjalë e shprehje shqipe të panjohura a pak të njohura, si dhe duke zgjeruar kuptimin e fjalëve të njohura; b) krijimi i fjalëve të reja me brumin e vetë gjuhës sonë, si dhe shqipërimi i fjalëve të huaja (kalket); c) rivlerësimi i fjalëve të dëshmuara në prodhimin letrar në epoka të mëparshme dhe të mbetura në periferi të gjuhës. Përveç pastrimit të fjalorit, u vu theksi edhe te mënjanimi i ndërtimeve të huaja që dëmtojnë veçantinë kombëtare të gjuhës sonë, qartësinë dhe thjeshtësinë e shprehjes së mendimit, që e bëjnë shprehjen të panatyrshme.

Në tetor 1980 Komisioni ngrit grupin e punës për zëvendësimin e fjalëve të huaja dhe miratoi detyrat e tij. Grupi skedoi propozimet e bëra për zëvendësimin e fjalëve të huaja që nga Komisioni i gjuhësisë i Institutit Shqiptar për Studime e Arte (1944) e në vijim, i krahasoi me “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe i përpunoi në formë artikujsh, që nisën të botohen në revistën “Gjuha jonë” nga numri 2/1981 në rubrikën e posaçme e “Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj”. Me lëndën e kësaj rubrike më 1998 u botua vëllimi “Për pastërtinë e gjuhës shqipe. Fjalor”, që përmban rreth 620 artikuj zëra (çerdhe fjalësh), ku janë trajtuar mbi 1440 fjalë.

Komisioni u vuri detyrë shkollës dhe institucioneve botuese që të përkrahin dhe të përhapin përdorimin e fjalëve shqipe në vend të fjalëve të huaja.

2. Mbledhja e fjalëve dhe shprehjeve popullore. Për t’i shërbyer detyrës së pasurimit dhe pastërtisë së gjuhës, si dhe dokumentimit të leksikut popullor në tërësi, filloi më 1981 aksioni kombëtar për mbledhjen e fjalëve dhe shprehjeve popullore. Aksioni u përgatit dhe u ndoq në vijimësi nga Ministria e Arsimit dhe Instituti i Gjuhësisë, i cili hartoi një udhëzues të posaçëm metodiko-shkencor dhe mbajti lidhje me seksionet e arsimit dhe me kabinetet pedagogjike në të gjitha rrethet.

Nëpërmjet këtij aksioni në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u grumbullua një lëndë shumë e pasur: fjalë e kuptime të panjohura më parë dhe shprehje frazeologjike. Në revistat “Gjuha jonë” dhe “Studime filologjike” nisi të botohet rregullisht rubrika “Fjalë dhe shprehje popullore”. Aksioni shërbeu edhe si një nxitje e re për të gjallëruar traditën e mëparshme në këtë fushë. Një varg fjalorësh të botuar kohët e fundit me fjalë e shprehje nga krahinat kanë marrë shkas edhe nga ky aksion.

  1. Shqipërimi, njësimi dhe përpunimi i mëtejshëm i terminologjisë tekniko-shkencore. Kësaj fushe Komisioni i ka kushtuar vëmendje të veçantë vijimisht. Në periudhën e pasluftës në Shqipëri arsimi i mesëm u bë masiv, u ngrit arsimi i lartë, u organizua kërkimi shkencor dhe vendi hyri në rrugën e industrializimit. Në këto rrethana mund të thuhet terminologjia u bë fusha kryesore e pasurimit të fjalorit të shqipes me fjalë e kuptime të reja. Në përpunimin dhe shqipërimin e terminologjisë, krahas terminologëve, bashkëpunuan gjuhëtarët më në zë3. Në fillim të viteve ’80, kur u themelua Komisioni, ishin botuar një varg fjalorësh terminologjikë shqip – gjuhë e huaj; shumica e tyre u ribotuan edhe në Prishtinë. Ishin përpunuar edhe parime e kritere shkencore të punës.

Mbështetur në ato arritje, Komisioni shtroi si detyrë organizimin më të mirë të punës për përpunimin, njësimin dhe shqipërimin e terminologjisë së të gjitha degëve të shkencës, të teknikës, të prodhimit, duke hartuar fjalorë terminologjikë dy- a shumëgjuhësh, me gjuhë të parë shqipen. Krahas Institutit të Gjuhësisë, me këtë detyrë u ngarkua edhe Universiteti i Tiranës, shkolla të tjera të larta, disa ministri dhe institucione qendrore. Akademia Ushtarake u ngarkua me hartimin e fjalorëve terminologjikë të fushës së saj.

Për shqipërimin e mëtejshëm dhe njësimin e terminologjisë u caktuan si kritere themelore: a) të shfrytëzohen fjalët e gjuhës së përgjithshme, duke ua zgjeruar kuptimin, duke u dhënë kuptim të ngushtë special në sfera të caktuara të shkencës e të teknikës; b) të krijohen fjalë të reja sipas tipave më prodhues të fjalëformimit të shqipes,duke shfrytëzuar parashtesat, prapashtesat, si dhe formimin e kompozitave, për të cilat gjuha shqipe ka mundësi të mëdha; c) të bëhen përpjekje për të shqipëruar sa më shumë terma të huaj, që kanë hyrë në përdorim pa nevojë; ç) të vështrohet me kujdes mundësia e shqipërimit të ndërkombëtarizmave ose të elementeve të tyre. Instituti i Gjuhësisë u ngarkua me drejtimin e veprimtarisë në këtë fushë dhe hartoi një udhëzues shkencor-metodik të posaçëm. U përpiluan në këtë periudhë dhjetëra fjalorë terminologjikë (kryesisht pa shpjegime), u botuan mjaft artikuj e studime4.

Më 1984 Komisioni mori në shqyrtim studimin për shqipërimin, njësimin dhe pasurimin e terminologjisë ushtarake. Me një organizim të mirë dhe punë këmbëngulëse në këtë fushë u shënuan arritje të mira, duke u botuar një seri fjalorësh për armë e shërbime të veçanta, si dhe fjalorë të përgjithshëm termash ushtarakë.

4. Gjuha në shtyp dhe në radiotelevizion. Shtypi dhe radiotelevizioni kanë ndikim të madh për ngritjen e kulturës gjuhësore dhe përhapjen e normës letrare. Në vitin 1982 Komisioni mori në shqyrtim studimin “Mbi gjendjen dhe punën për përmirësimin e mëtejshëm të gjuhës në shtyp dhe radiotelevizion”, të përgatitur nga një grup pune. Për shtypin e shkruar studimi vinte në dukje të metat kryesore në zbatimin e drejtshkrimit dhe të normës gramatikore, përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme, përdorimin e gabuar të disa fjalëve, të meta të ndryshme stilistike e në ndërtimin e fjalive. Për radiotelevizionin në studim vërehej se folësit jo rrallë nuk i përmbahen tekstit të shkruar, por pasqyrojnë veçori dialektore ose shqiptime joletrare. Organet e shtypit dhe radiotelevizioni u porositën të marrin masat përkatëse për mënjanimin e të metave.

Gjuha e shtypit dhe e radiotelevizionit u mor në shqyrtim përsëri nga Komisioni më 1988. Në materialin studimor të paraqitur nga grupi i punës thuhet ndër të tjera se fakti që Komisioni i Përhershëm e shqyrton për të dytën herë brenda gjashtë vjetësh këtë problem, tregon për vëmendjen e madhe që i kushtohet atij, sepse mjetet e komunikimit masiv janë bërë sot, krahas shkollës, mjete shumë të fuqishme për rrezatimin e normës letrare dhe njësimin e saj të mëtejshëm.

Komisioni vuri në dukje se me gjithë përparimet e shënuara në gjuhën e radios e të televizionit, mbetet ende mjaft për të bërë për ngritjen e kulturës gjuhësore në nivelin e duhur. Së pari, të bëhen përpjekje të mëtejshme nga folësit e programeve informative etj. për një shqiptim letrar më të pastër; së dyti, redaktorët e emisioneve me të ftuar të ndryshëm të ndikojnë për një ligjërim më të ngritur në emisionet që përgatisin, sidomos për të shmangur ligjërimet me ngjyrë dialektore; të tregohet më shumë kujdes për mënjanimin e fjalëve të huaja (ndonjëherë radiotelevizioni jep shembull të keq për këtë). Lëshimet e vijueshme që vërehen, kërkojnë masa organizative për përmirësimin gjendjes. Në ekranin e TV dalin jo rrallë edhe shkrime me gabime të ndryshme, që janë të papranueshme nga opinioni shoqëror. Për këtë Komisioni kërkoi që të forcohet puna e redaktimit letrar. Komisioni porositi që radiotelevizioni shqiptar dhe RTV vendore të marrin vetë në shqyrtim gjendjen e kulturës gjuhësore dhe të caktojnë detyra për përmirësimin e saj.

5. Gjuha e shkruar dhe e folur në arsimin e lartë. Më 1986 Komisioni mori në shqyrtim studimin “Ligjërimi i shkruar dhe i folur në veprimtarinë e Universitetit të Tiranës”. Në këtë studim paraqitej gjendja e zbatimit të normës letrare dhe e kulturës gjuhësore në përgjithësi në testet dhe botimet e Universitetit, më tej gjendja e përpunimit dhe e shqipërimit të terminologjisë në lëndët mësimore, gjendja e ligjërimit të folur në procesin e mësimdhënies.

Studimi vinte në dukje, krahas arritjeve, edhe mjaft mangësi, sidomos në redaktimin gjuhësor të teksteve. Për përmirësimin e gjendjes Komisioni përcaktoi disa detyra për Rektoratin dhe dekanatet e Universitetit, si dhe për Katedrën e gjuhës shqipe si njësi specializuar në këtë veprimtari. Ajo u ngarkua edhe me kualifikimin gjuhësor të redaktorëve letrarë dhe të administratës. U kërkua që të ndiqet më nga afër programi i hartimit të fjalorëve terminologjikë të katedrave të veçanta dhe të zbatohet terminologjia e shqipëruar në tekstet dhe në ligjërimin e folur etj.

6. Gjuha e teksteve shkollore. Më 1987 Komisioni mori në shqyrtim një studim për gjuhën e teksteve të shkollës 8-vjeçare (klasat I-IV). Për këtë studim ishin shqyrtuar mbi 2000 faqe tekste. Shkolla 8-vjeçare, dhe veçanërisht arsimi fillor, luajnë një rol të rëndësishëm për t’i aftësuar nxënësit që të fitojnë shprehitë e zbatimit të normës letrare. Gjuha e teksteve përbën modelin gjuhësor që ndikon drejtpërdrejt në formimin gjuhësor të tyre. Në studim vërehet se në përgjithësi tekstet e vëzhguara janë një shembull i mirë për thjeshtësinë dhe për pastërtinë e gjuhës, është punuar me pikësynime të caktuara për të mënjanuar fjalët e huaja të panevojshme dhe për të përhapur fjalën shqipe. Por ka ende për të bërë në këtë drejtim, si dhe në mënjanimin e disa fjalëve me shtrirje të kufizuar, duke përdorur fjalë më të përgjithshme. Studimi shtron kërkesën për të njësuar më shumë terminologjinë dhe për të treguar më shumë kujdes për ndërtimin e fjalisë: ajo të jetë e thjeshtë, e kuptueshme, me renditje të rregullt të gjymtyrëve dhe me tiparet sintaksore të gjuhës shqipe. Për këtë u kërkua që të shtohet kujdesi i redaktimit letrar të teksteve.

7. Gjuha e skenës dhe e ekranit. Nisur nga ndikimi i gjuhës së folur në veprimtaritë artistike për kulturën gjuhësore në përgjithësi, Komisioni në dhjetor 1982 mori në shqyrtim studimin “Për gjendjen e gjuhës në skenë dhe në ekran” dhe shtroi detyra për përmirësimin e mëtejshëm të saj.

8. Gjuha e administratës shtetërore. Komisioni mori në shqyrtim që në vitin 1982 zbatimin e normës letrare në veprimtarinë e administratës shtetërore, sidomos në pushtetin vendor dhe në institucione e ndërmarrje ekonomike. U caktuan detyra për kualifikimin gjuhësor të sekretareve, daktilografisteve, arkivisteve nëpërmjet kurseve të drejtuara nga mësues të gjuhës. Gjatë vitit 1984 Komisioni mori përsëri në shqyrtim punën e komiteteve ekzekutive për zbatimin e detyrave që u vinte vendimi i datës 7.4.1979 dhe dy letra të Këshillit të Ministrave të datave 29.9.1980 dhe 1.7.1983. U vunë detyra për ngritjen e kulturës gjuhësore në shtypin e radiot vendore, në veprimtaritë artistike profesioniste e amatore, mënjanimin e gabimeve në mbishkrimeve në vende publike, në tabelat, lajmërimet etj. Komitetet ekzekutive u ngarkuan të ndiqnin nga afër aksionin e mbledhjes së fjalës së rrallë dhe shqipërimin e terminologjisë së degëve të ndryshme të prodhimit.

9. Kualifikimi shkencor i redaktorëve dhe korrektorëve letrarë. Me porosi të Komisionit pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës u organizua më 1982 një kurs për kualifikimin e redaktorëve e të korrektorëve letrarë sipas një programi të posaçëm. Komisioni shqyrtoi mbarëvajtjen e këtij kursi dhe vuri si detyrë që të organizohen edhe më tej kurse të ngjashme dhe forma kualifikimi për redaktorët letrarë.

10. Revista “Gjuha jonë”. Në vitin 1984 Komisioni mori në shqyrtim edhe veprimtarinë e revistës “Gjuha jonë”, e themeluar më 1981. Në dy vitet e para revista doli me nga dy numra, nga viti 1983 me tre numra e nga viti 1986 me 4 numra në vit. Komisioni e vlerësoi revistën si shumë të rëndësishme për trajtimin e problemeve të normës letrare dhe përhapjen e njohurive të kulturës gjuhësore, veçanërisht në radhët e arsimtarëve dhe të punonjësve të shtypit e të botimeve (më 1984 revista e kishte tirazhin 4260 kopje). Për mbarëvajtjen e mëtejshme të punës Komisioni shtroi disa si detyra, si: a) zgjerimin e rrethit të bashkëpunëtorëve të revistës, sidomos nga radhët e arsimtarëve; b) bashkëpunimin më të ngushtë me katedrat e gjuhës shqipe të shkollave të larta dhe me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë; c) propagandimin më të mirë të revistës bashkëpunimin me seksionet e arsimit në rrethe për të shtuar numrin e pajtimtarëve etj.

Veprimtaria e Komisionit e përshkruar më sipër mund të përkufizohet: Gjuhësia ndihmon shtetin për të vendosur disiplinën gjuhësore dhe shteti ndihmon gjuhësinë për mbarështimin e gjuhës. Kjo veprimtari ka qenë mjaft e dobishme dhe me ndikim për kulturimin e vendit. Komisioni vuri detyra për gjuhësinë e për gjuhëtarët, por njëkohësisht ngriti dhe prestigjin e tyre shoqëror. Pati ngritje të kulturës gjuhësore në shtyp e në radiotelevizion, u krijua një opinion mospranues për fjalët e huaja (ndonjëherë edhe me teprime), u shumëfishua puna për shqipërimin dhe njësimin e terminologjisë, u ndërgjegjësua më shumë administrata për detyrimin e zbatimit të normës letrare etj. Veprimtaria e Komisionit u zhvillua në vitet ’80, kur marrëdhëniet kulturore-shkencore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ranë në pikën më të ulët ose u ndërprenë krejt, prandaj besoj se këtu nuk ka qenë e njohur.

Konferenca e organizuar në Tiranë në nëntor 2002 me temë “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” bëri thirrje që të ringrihet një komision i tillë në Shqipëri dhe qeveria e Kosovës të marrë masat e nevojshme e të përshtatshme për të ngritur kulturën gjuhësore në veprimtaritë publike, kulturore etj. Krahas kësaj, institucioneve akademike dhe universitare shqiptare iu bë thirrje që të krijojnë “një Këshill gjuhësor kombëtar, i cili do të japë rekomandime normative për probleme të gjuhës standarde shqipe5.

Ideja e nismëtarëve të kësaj thirrjeje ka qenë që me forca të përbashkëta të përballojmë detyrat tona në fushën e gjuhës, ndër të cilat detyra kryesore mendoj se mbetet ajo që shtronte prof. E. Çabej në fjalën e cituar më lart, d.m.th. pastrimi dhe pasurimi, duke përfshirë këtu dhe punën për terminologjinë. Le të kemi parasysh këtu dhe rrethanat e sotme: globalizmi gjuhësor dhe ndikimi i anglishtes6.

Por krahas kësaj ne duhet të çojmë përpara edhe afrimin e mëtejshëm të praktikës gjuhësore në Shqipëri e në Kosovë, duke mënjanuar dallimet e shkaktuara nga zhvillimi i veçuar dhe nga ndikimet e huaja të ndryshme – serbishtja në Kosovë dhe italishtja në Shqipëri7. Për këtë të fundit po sjell si shembull disa “përcaktime” nga “Manuali i sinjalizimit rrugor” i botuar vjet në “Fletoren zyrtare”8:

bankina – pjesë e rrugës e përfshirë ndërmjet kufirit të karrexhatës dhe elementit gjatësor më të afërm: trotuarit, trafikndarësit, argjinaturës, buzës së brendshme të kanalit ose buzës së sipërme të skarpatës;

karrexhata – pjesë e rrugës e destinuar për lëvizjen e mjeteve;

korsi – pjesë gjatësore e rrugës e kufizuar në mënyrë të përshtatshme për lejimin e kalimit të një rreshti të vetëm mjetesh; po kështu:

rakordim konkav/konveks, rampë kryqëzimi etj.

A do të quheshin kështu të njëjtat gjëra në kodin e qarkullimit rrugor të Kosovës? A do të ishin të pranueshme këto emërtime të rëndësishme të qarkullimit rrugor për fjalorin e gjuhës shqipe? Çështje si këto duhen zgjidhur bashkërisht dhe me përparësi, kështu i shërbejmë pasurimit dhe pastrimit të gjuhës shqipe, njësimit të mëtejshëm të terminologjisë në të gjitha fushat e dijes, të teknikës dhe të veprimit të shtetit.

Mjerisht disa kolegë e kuptuan thirrjen për një këshill gjuhësor të përbashkët si vendim për një komision të përbashkët, i cili “do të përcaktojë ndryshimet që duhet të pësojë drejtshkrimi me qëllim të thjeshtësimit e të begatimit (?? – EL) në drejtim të kahjeve të sotme zhvillimore të shqipes standarde”.

Unë dua të përsëris se çështjet drejtshkrimit nuk janë për gjuhën shqipe një problem qendror. Dua të kujtoj këtu edhe kundërshtimin e Holger Pedersenit, që më 1917, ndaj atyre që mëtonin se gjuha shqipe nuk kishte një drejtshkrim të qëndrueshëm. “Kjo ishte e vërtetë një dhjetëvjeçar më parë, – vëren me kthjelltësinë e tij shembullore mjeshtri i madh; por që nga Kongresi i Manastirit më 1908 kjo thënie është vjetruar: drejtshkrimi i shqipes është i përcaktuar ashtu si çdo drejtshkrim tjetër.”9

Unë nuk besoj se mund të përligjen ndryshime në drejtshkrim e në normën letrare me të supozuarat “kahje të sotme zhvillimore”. Prej kohësh kahu i zhvillimit të shqipes letrare ka qenë konvergjenca e brendshme, e cila sot mendoj se po ndihmohet edhe më shumë nga faktorë ekonomikë, politikë e kulturorë. Këtë konvergjencë do ta çojnë më tej shkollimi cilësor dhe disiplina gjuhësore e shtetit. Me këtë rrugë janë vendosur e kanë përparuar edhe gjuhët letrare në vende të tjera10.

Kuptohet se kërkesat për ta rishikuar drejtshkrimin dhe normën letrare synojnë në të vërtetë tjetër gjë, prandaj shoqërohen shpesh me theksimin e bujshëm se Kongresi i Drejtshkrimit u zhvillua në kushtet e diktaturës, se në Kosovë standardi është “i importuar”11 dhe u pranua nga nevoja për integrim kombëtar në kushtet e pushtetit jugosllav, ndërsa në Shqipëri u vendos nën ndikimin e mekanizmave shtetërorë. Pra, do të kishte qenë më mirë sikur të mos ishte arritur në këtë gjuhë të letrare të përbashkët! Prandaj kultivuesit dhe bartësit e pohimeve të tilla me zor e thonë, kur është rasti, ndonjë fjalë vlerësuese për Konsultën Gjuhësore të Prishtinës dhe për Kongresin e Drejtshkrimit. Për ta “krijimi i një forme të përbashkët të gjuhës, sado e përsosur që të jetë ajo, nuk është veçse një mo­ment në histori të një gjuhe.”

Pohime si ky nuk janë vërtetuar në historinë e gjuhëve që e kanë arritur prej shekujsh formën e përbashkët. Ai “moment” në këto gjuhë po zgjat prej shekujsh, ndërkaq drejtshkrimi dhe format gramatikore të tyre janë prekur fare pak ose aspak. Gjithë problemi tek ato ka qenë dhe është fjalori dhe terminologjia, pasurimi dhe rregullimi i tyre sistemor, krahas kësaj zhdërvjellësimi e pasurimi i sintaksës. Prandaj nuk ka pse të na rrëmbejë zelli i ndryshimeve për ndryshime.

Dua të përmend edhe një herë se drejtshkrimi i sotshëm i shqipes në rregullat e tij themelore qe përcaktuar që në “Fjalorin e gjuhës shqipe” të vitit 1954 me redaktimin që i bëri prof. Mahir Domi pas konferencës së ortografisë të atij viti12. “Ortografia” e vitit 1956 ka fare pak ndryshime nga ajo e fjalorit; gjithashtu Projekti i vitit 1967 dhe “Drejtshkrimi” i vitit 1973, janë vërtet më të plotë, më të sistemuar, me më shumë përgjithësime, por në thelb rregullat kryesore të drejtshkrimit të zanoreve e të bashkëtingëlloreve dhe të disa çështjeve gramatikore mbeten po ato të fjalorit.

Edhe në rrethanat e sotme unë e gjej më me vend porosinë që na jepte prof. E. Çabej në mbledhjet e komisionit të drejtshkrimit, se në këto çështje duhet të ecim “me këpucë plumbi”. Dhe ashtu kemi bërë. Unë nuk besoj se do të jetë ndonjë fitore e madhe për shqipen standarde sikur emri burrë të shkruhet burr, dhe në vend të së sotmes zotërinj të shkruhet zotërij, siç kërkojnë ithtarët e ndryshimeve për ndryshime, që do të sjellin rrëshqitjen e standardit në drejtim të pështjellimeve të njëpasnjëshme. Kjo do të thotë ta rrokësh punën për degësh e jo për trungu.

Qëndrime të tilla natyrisht më brengosin, por nuk më ligështojnë. Unë besoj se te masa e madhe e arsimtarëve dhe te ata që kanë të bëjnë në veprimtarinë e përditshme me gjuhën standarde, është formuar bindja se detyra kryesore është mësimi, ngulitja e standardit në përdorim dhe jo mëshimi i kërkesës për ndryshime çorganizuese.

Diaspora TV

Së fundi, dëshiroj të them pak fjalë edhe për pasurimin e gjuhës. Paraqitet çështja sikur gjuhësia e mëparshme ka penguar hyrjen e fjalëve nga të folmet e Veriut në fjalorët e shqipes, rrjedhimisht në qarkullimin letrar. Pa dyshim mund të gjenden fjalë nga të folmet e Veriut që duhej të ishin përfshirë në fjalorët (siç mund të gjenden shembuj edhe nga të folme të anëve të tjera), por në të gjitha trajtesat leksikografike nuk ka ndonjë kufizim krahinor lidhur me përfshirjen e fjalëve në fjalorët shpjegues.

Përveç kësaj, duhet pasur parasysh se fjalorët, edhe kur janë normativë ose me prirje normative, nuk janë të detyrueshëm si drejtshkrimi a gramatika, që nuk lejojnë të shkruash p.sh. çfrytëzim ose shkruajta (në vend të shfrytëzim, shkrova). Fjalorët pasurohen pikërisht nëpërmjet prurjeve të reja të lëvruesve të gjuhës. Asnjë lëvrues nuk mund të pengohet të përdorë një fjalë që nuk gjendet në fjalor, me përjashtim të fjalëve të huaja krahinore (turqizma, greqizma, sllavizma), që nuk bartin ndonjë vlerë semantike a stilistike. Edhe sikur të ketë qenë dikur ndonjë redaktor skolastik në ndonjë shtëpi botuese shtetërore, tashmë, që prej njëzet vjetësh, kufizime të kësaj natyre as që mund të përfytyrohen.

Pasurimin e vërtetë të gjuhës nuk e bëjnë gjuhëtarët. Për krahasim do të thosha se pasurimin e vërtetë të botimeve nuk e bëjnë bibliotekat, por autorët dhe botuesit. Por, ashtu siç është në nderin e një vendi që të ketë një bibliotekë kombëtare sa më të pasur dhe shumë biblioteka të tjera, po ashtu është në nderin e kulturës sonë kombëtare që të kemi një fjalor sa më të pasur të gjuhës shqipe dhe shumë fjalorë të tjerë. Këtu, mendoj, duhet të drejtohen në radhë të parë përpjekjet, bashkëpunimet dhe investimet.

Në fushën e drejtshkrimit e të gramatikës normative nuk duhet të mbetet puna në duar të atyre që këto lëmi i kanë anësore. Studiuesit e gjuhës së sotme shqipe dhe sidomos pedagogët e departamenteve gjuhësore në shkollat e larta do të gjejnë forma bashkëpunimi e organizimi për t’i trajtuar problemet me qetësi e me objektivitet shkencor. Detyra jonë është të përparojmë për të fituar kohën e humbur e jo të bëjmë prapakthehu, duke humbur kohë të re.

Shtojcë

Vendim Nr. 82 datë 7.4.1979.

PËR ORGANIZIMIN E PUNËS PËR PASTRIMIN DHE PASURIMIN E MËTEJSHËM TË GJUHËS LETRARE SHQIPE

Me propozimin e Akademisë së Shkencave, Kryesia e Këshillit të Ministrave vendosi:

  1. Krijimin pranë Këshillit të Ministrave të Komisionit të Përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe.

  2. Komisioni do të ketë këto detyra kryesore:

- Të organizojë e të drejtojë punën për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës sonë amtare në të gjitha fushat dhe të kujdeset që të njihen nga masat e gjera e të vihen në jetë përfundimet e kërkimeve dhe studimeve në këto fusha.

- Të bashkërendojë e të kontrollojë punën për shqipërimin e njësimin e mëtejshëm të terminologjisë tekniko-shkencore dhe për zbatimin e saj nga të gjithë.

- Të kujdeset për zbatimin e plotë të normës së gjuhës letrare në pajtim edhe me detyrat që shtron vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 50, datë 8.3.1974.

  1. Komisioni të hartojë platformën që do të shërbejë si bazë për këtë veprimtari dhe një plan pune me afat të gjatë.

  2. Akademia e Shkencave, ministritë dhe institucionet e tjera kërkimore-shkencore, Universiteti i Tiranës dhe të gjitha shkollat e vendit tonë të përfshijnë kryerjen e detyrave që u dalin në këtë fushë në planet e tyre vjetore dhe të ngarkojnë për këtë njerëzit më të aftë e më të përgatitur.

  3. Për të trajtuar çështjen e pastrimit e të pasurimit të gjuhës shqipe, të krijohet revista “Gjuha jonë”, organ i Akademisë së Shkencave.

 

BIBLIOGRAFI KRONOLOGJIKE E VEPRIMTARISË

SË KOMISIONIT TË PËRHERSHËM PËR PASTRIMIN

DHE PASURIMIN E MËTEJSHËM TË GJUHËS LETRARE SHQIPE

(Shkrime në revistën “Gjuha jonë” 1981-1989)

 

  1. Vendim i Këshillit të Ministrave të RPS të Shqipërisë për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. – GjJ 1/1981, 1, 11-12.

 

  1. Nga veprimtaria e Komisionit të Përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. – GjJ 1/1981, 1, 13-17.

 

  1. Masa të rëndësishme për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. – GjJ 1/1981, 2, 5-10.

 

  1. Masa të tjera të rëndësishme për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. – GjJ 2/1982, 2, 5-11.

 

  1. Për përmirësimin e mëtejshëm të gjuhës në shtyp e radiotelevizion. – GjJ 2/1982, 2, 5-11.
  2. Studime dhe detyra të rëndësishme për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe (Nga veprimtaria e Komisionit të Përhershëm për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe). – GjJ 3/1983, 1, 5-11.

 

  1. Gjendja e sotme e gjuhës në skenë e në ekran dhe detyrat për ta përmirësuar atë. – GjJ 3/1983, 1, 21-27.

 

  1. Në komisionin e Përhershëm shqyrtohen tri çështje të rëndësishme. – GjJ 3/1983, 2, 5-12.
  2. Gjendja e gjuhës në letërsinë artistike. – GjJ 3/1983, 2, 5-12.

 

  1. Komisioni i përhershëm shqyrton veprimtarinë e revistës “Gjuha jonë” dhe çështje të tjera të rëndësishme. – GjJ 4/1984, 1, 5-16.

 

  1. Shqipërimi, njësimi dhe pasurimi i mëtejshëm i terminologjisë ushtarake. – GjJ 4/1984, 2, 5-13.

 

  1. Ligjërimi i shkruar dhe i folur në veprimtarinë e Universitetit “Enver Hoxha”. – GjJ 6/1986, 3, 5-14.

 

  1. Të përsosim më tej gjuhën e teksteve të shkollës 8-vjeçare (kl. I-IV) (Material i Komisionit të Përhershëm). - GjJ 7/1987, 3, 5-23.

 

  1. Komisioni i Përhershëm shqyrton gjuhën e radios dhe të televizionit. – GjJ 9/1989, 1, 5-11.

 

 

1 Gazeta “Mësuesi” 28 mars dhe 4 prill 1979; rev. “Gjuha jonë” 1/1981, nr. 1, f. 36-47.

2 Më 1956 A. Xhuvani kishte botuar librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”.

3 Në fillimet e punës kanë marrë pjesë në komisionin e terminologjisë edhe A. Xhuvani, E. Çabej, M. Domi, S. Riza, krahas gjuhëtarëve të sektorit përkatës L. Dodbiba, S. Morcka, F. Leka etj.

4 Shih “Bibliografi e terminologjisë” në: Gjendja dhe zhvillimi i terminologjisë shqipe – probleme e detyra (konferencë shkencore).Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Tiranë, 2009, f. 244-294..

5 Konferenca shkencore “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”. Tiranë, 11-12 nëntor 2002. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Shtëpia botuese “Shkenca”. Tiranë 2003, f. 451.

6 Që nga viti 2003 janë botuar rreth 30 shkrime që trajtojnë këtë temë dhe kanë në titull fjalët globalizëm, global.

7 Lidhur me qëndrimet ndaj kësaj çështjeje shih: Xhevat Lloshi, “Shqipja standarde në rrethanat e dygjuhësisë”, Studime filologjike 55/2001, nr. 3-4, f. 47-58; Emil Lafe, “Shqipja standarde në shekullin e ri”, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Punimet e materialeve të Seminarit XIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë-Prizren, gusht 2000). Prishtinë 2001, f. 293-300; Rexhep Ismajli, “Gjuha, ndikimet dhe ndryshimet”, Lemba (Ulqin) 2001, nr. 5, f. 101-106.

8 Fletorja zyrtare e Republikës së Shqipërisë. Botim i Qendrës së Publikimeve Zyrtare. Nr. 69, 4 qershor 2010, 3147 f.

9 “Gjuha shqipe”. – Gjuha jonë 19/1999, nr. 1-2, f. 91.

10 Në vitin e bashkimit të Italisë në një shtet (1861) vetëm 3% e popullsisë e përdorte gjuhën letrare italiane, pjesa tjetër fliste në dialektet e shumta të krahinave të Italisë; në vitet ’70 të shek. XX italishten letrare e zotëronte rreth 60% e popullsisë, ndërkaq për 20% të italianëve ajo ishte gati si një gjuhë e huaj (Tullio De Mauro, Linguaggio e società nell’Italia d’oggi. ERI, Torino, 1978, f. 7-11).

11 Kjo do të thotë se edhe shkrimtarët nga Jugu, të para e të pasluftës në Kosovë qenkan “të importuar” për shkak të gjuhës tyre. Kuptohet që për statistikat doganore portokajtë dhe ullinjtë e Shqipërisë mund të quhen në Kosovë mallra të importuara, po ashtu patatet ose misri i Kosovës në Shqipëri. Por për gjuhën standarde ky cilësim nuk më duket i përshtatshëm, sepse kufijtë doganorë dhe kufijtë dialektorë nuk janë e njëjta gjë.

12 Shih edhe: Mahir Domi, “Konferenca e ortografisë”. – Nëndori, Tiranë, 1954, nr. 1, f. 142-144.

 

 

Ky shkrim është lexuar 1026 herë!

Enter your email address:

Delivered by FeedBurner

RadioEmigranti

facebook comments:


Leave a Reply