Pashko Vasa Mendimtari i Parë Republikan i Rilindjes sonë Kombëtare

Nga Aristotel Mici     Rreth Librit  “Burgimi im”- (La mia Prigionia”) të Pashko Vasës  (Vepër  autobiografike që hedh dritë  mbi rrethimin e  Venecies dhe arrestimin e lirimin e autorit.)  Libri “Burgimi im” Lexo më tej

HALLET DHE PËRFAQËSITË TONA NË GREQI

Nga Danel Cana   Dje, në një takim të rastësisshëm privat me një përfaqësues të ambasadës gjatë bisedës “shkoi dhëmbi tek dhëmbte dhëmballa”, në mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve! Ajo që Lexo më tej

DEFETARIZIMI I POLITIKËS DHE DEPOLITIZIMI I FESË

Nga Skënder Buçpapaj, VOAL   Ne shqiptarët dështuam në përçartjen tonë gjysmëshekullore për t’u bërë qendër botërore e ideologjisë komuniste. Mjerisht, në Tiranë, mjerisht, duket të ketë koka që ende, pas rreth Lexo më tej

Shembulli i një Shqiptaro-Amerikani që lobon i vetëm

Nga Artur Vrekaj   E kërkojmë në qiell lobimin për komunitetin dhe Çështjen Shqiptare. Ai është prezent atje ku Shqiptarët e kthjellët dinë ta bëjnë pa shumë bujë. Ju sjell një rast Lexo më tej

E KENI GABIM z. ALIMADHI

Nga Guri Shyti     Radhët që do të lexoni më poshtë do ta shtyjnë z. Alimadhi, dhe të gjithë ata që mendojnë si ai, të përdorin kundër meje atë fjalën që Lexo më tej

15-VJETË NGA SPASTRIMI ETNIK I NJË POPULLI

Nga Frank Shkreli   Ishte kulmi i luftës në Kosovë.  Periudha Mars-Qershor, 1999 ishte periudha e bombardimeve të NATO-s kundër objektivave të forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në Kosovë dhe anë Lexo më tej

Rrugëtimi i USSH-së për një dekadë, organizatës së parë mbarëkombëtare

Nga Albrim S. Badallaj*   Studentët, si e ardhmja intelektuale e çdo shteti gjithmonë kanë pasur rolin kryesorë në proceset politike dhe shtetndërtuese, ku përmes iniciativave të ndryshme kanë arritur të bëjnë Lexo më tej

Tropoja është e tropojasve dhe jo e politikanëve

Nga Gjon Neçaj Kohët e fundit,në zallamahinë e  një opozite që kërkon ta zvetënojnë mazhorancën e sapo ardhur në pushtet,me anë të mitingjeve “paqësore”,e ku qeveria Rama po tenton  t’i bëjë oponencë Lexo më tej

Hajdutët që vijnë dhe horrat që shkojnë

Nga Aurel Dasareti*   Privatizimi i pakontrolluar në trojet shqiptare, ka krijuar një oligarki dhe jo një demokraci, çoi në një shoqëri të karakterizuar nga korrupsioni dhe abuzim të pushtetit. Heronjtë ose Lexo më tej

DY PIKA NAFTЁ PЁR NJЁ EPITAF

Nga Ing. Ahmet Çollaku   Një muaj më parë gjeologu Vangjel Kici që nga Kanadaja më shkruan se shoku ynë Petro Lena, Ing. topograf  që punoi  shumë vite ne Ndërmarrjen Sizmike të Lexo më tej

 

NGA TIRANA NE TORONTO

Nga Siri Sulejmani

 

(Shënime udhëtimi)

 Pasi u futa në brendinë e aeroportit të ri Nënë Tereza të ndërtuar kohët e fundit nga një firmë gjermane, më erdhi në kujtesë një barcalete e lindur katër dekada më parë dhe që nisi të qarkullonte me frikë nëpër gojët e njerëzve. Ishte koha kur në qendrën e kryeqytetit ishte ngritur pallati i kulturës, i tëri i veshur me mermer të bardhë, gurin e themelit të të cilit e kishte vendosur Nikita Hrushovi,udheheqes i superfuqise komuniste, Bashkimit Sovjetik. Një shkodran, pasi kishte vizituar pallatin në Tiranë ishte kthyer në Shkodër ku i kishte thënë një miku pershtypjen; “Kur isha mrena e ndjeva vetin sikur isha jashtë… kur dola jashtë, e kuptova që isha mrena…” Për këtë shaka të guximshme në atë kohë mund të të hapej rruga për në burgun e Burrelit, por ja që për fat të mirë shoqëria ka njerëz guximtare të cilët sfidojnë kohën dhe vënë në lëvizje ndërgjegjen e shoqërise… Aeroporti Nënë Tereza, në tërësinë e tij është më madhështor se pallati i kulturës e natyrisht që njeriut edhe sot, i ndodhur brenda tij mund t’i duket vetja si shkodranit. Qoftë e thënë që pas deklarimit tejet dorëlëshuar të kryeministrit Sali Berisha, për “Shqipërinë një Euro” të ngrihen sa më shumë vepra të tilla që më në fund edhe shqiptarët të mos cuditen me bëmat e botës së jashtme. Me këtë dëshirë në zemër i hipa një avioni të kompanisë ajrore Malev bashkë me gruan për të zbritur në Budapest nga ku do të merrnim udhëtimin e gjatë drejt Kanadasë. Ishte udhëtimi i parë me avion dhe i dyti i daljes nga kufiri i Shqipërisë… Daljen e parë e kisha realizuar natën, në këmbë, maleve në kufirin shtetëror me Greqinë fqinjë. Shkova atje si refugjat klandestin për të punuar me shpresën të evitoja sadopak varfërinë e lënë trashëgim nga një regjim i cuditshëm që do t’i mbetet emri “monizëm”. Ngjitja në avion, si për cudi, nuk më krijoi ndonjë ndjesi frike që të mund ta krahasoja me frikën e asaj nate ku mund të humbisja jetën sic i thonë për dhjamë qeni, pasi në atë kohë katrahure, vrasja e një shqiptari të ikur natën në kufi, nuk përbënte asnjë shqetësim, sidomos nga ana shqiptare ku komandonte Ramiz Alia, zëvendësi i diktatorit Hoxha. Për fat, edhe gruaja nuk shfaqi ndonjë shqetësim të dukshëm. Avioni mori lartësi duke më lënë si mbresë vargun e maleve tona të ashpra që ndiqnin njëri – tjetrin dhe gjurmët e zeza të përcëllimit të pyjeve nga zjarret e shumta të kësaj vere që përvëloi botën… Ndërsa zbrisnim mbi Budapest, ngaqë dritaren nuk e kisha fort afër, munda të marr vetëm një fragment të bukurisë së urave që harkojnë mbi Danub për të lidhur Budën me Peshtin. Pas procedurave përkatëse në një sallë të madhe, jo më të bukur se ajo e Tiranës, u futëm në një tunel që na nxori në barkun e një avioni të rëndë Boing po i firmës Malev. Ngrihemi nga Budapesti gjithmonë me një ekuilibër normal emocionesh. Në ekranin e monitorit përballë, pasqyrohet rruga që ndjek avioni, pra, edhe shtetet mbi të cilët kalon. Ngjitemi në lartësinë 10400 metra, dëgjohet vetëm një uturimë dhe të duket sikur të gjëmojnë veshët. Diku avioni bën një dridhje si të ishte një shpend gjigant që kërkon të shpije trupin pa na e prishur qetësinë.

  • Si dukesh? – e pyes gruan të cilën e kam përbri në të djathtë.

  • Mirë, – thotë ajo duke tundur dorën si për të thënë; le të dalë ku të dalë. Përballë në monitor, avioni i bardhë i ndjekur nga një vijë e kuqe, le prapa Amsterdamin, kalon mbi qytetin Glaskou në veri të Britanisë së madhe, i kalon në jug Islandës dhe vazhdon mbi oqeanin Antllantik, i cili pasqyrohet me një ngjyrë blu të thellë të frikshme.

Stjuardesat, të shkathëta e të veshura bukur, na sjellin darkën, me një ushqim të pastër, të shijshëm. Shërbimi i stafit të avionit më ka lënë përshtypje të mirë qyshse u nisëm nga Tirana. Bota dinë të punojnë, të shërbejnë konkretisht me kulturë e jo të prrallisin me fjalë për “shërbesën” ndaj popullit… sic ndodh në atdheun tim që kam lënë prapa. “Dreqi ta hajë, po e rrukullisim jetën duke patur zili botën,” mendoja me vete.

Në të majtën time kam një rumun me të shoqen. Kthehen nga një vizitë disa ditëshe nga atdheu i tyre, në Kanada, ku banojnë prej shume vitesh. U njohëm nëpërmjet ngjashmërisë së gjuhës rumune me italishten. Rumuni është një burrë i shëndetshëm, i këndshëm dhe me një palë musteqe të ashpra bojë gruri. Nga biseda me të, kuptova se ndihej i trishtuar për ecjen e ngadalshme përpara të vendit të tij. Papritur, avioni mori një lëkundje si epimi i pelivanit mbi litar. Miku pranë meje u topit dhe i shtrëngoi krahun gruas. Avioni e shtroi sërish lëvizjen. I zura dorën miqësisht rumunit dhe i kujtova se mbi kokë kemi edhe kujdesin e Zotit. Ai buzëqeshi si i zënë ngushtë dhe mblodhi supet si për të më thënë: Ai është, por vallë a e ka mendjen tek ne në këtë cast?! Ndërkohë avioni “shkel” në jug të Greonlandës dhe futet në kontinentin Amerikan, nga qendra radiofonike njoftohemi se po i afrohemi Torontos. Për cudi, aty mbi oqeanin Atllantik më vjen nga thellësia e viteve replika me barcaleta midis shkodranëve dhe vlonjateve: Kur filloi të funksiononte hekurudha Shkodër – Vlorë. Shkodranët vunë në gojën e konduktores shkodrane këto fjalë: Treni po i afrohet Vlorës, iu kujtojmë pasagjerëve bagazhin, leberit të mos harrojnë pushkët. Këtij thumbi me humor, vlonjatët iu përgjigjen duke vënë në gojën e konduktores së tyre paralajmërimin: Treni po i afrohet Shkodrës, iu kujtojmë pasagjerëve bagazhin, shkodranët të mos harrojnë gratë… I kujtova gruas cantën dhe i thashë plot besim:

- Burrneshë grua, se po zbresim në tokë ku do të na presë Anri. Asaj i qeshi fytyra dhe iu bëlyrën sytë. Në Toronto, prej më se tre vitesh, jeton djali ynë me të shoqen dhe djalin e tyre Anrin, katër vjec e gjysmë. Për koicidencën e jetës, të dy prindërit e nuses janë të njohurit e mi qysh në vitet e rinisë.

Avioni merr uljen, dikush pranë dritares përmend me zë emrin e qytetit, Toronto. Ngrihem dhe i afrohem dritares. Nga poshtë më mrekullon shpirtin një det dritash shumëngjyrëshe. Qytetin e madh e përshkojnë kryq e tërthor autostradat me një ndricim të fuqishëm. Një mrekulli e vërtetë, sidomos për ne që vijmë nga Shqipëria e lënë në errësirë nga politikanët makutë që drejtojnë fatet e saj për vite me radhë. Avioni puth tokën dhe një grup pasagjerësh duartrokasin të gëzuar. Natyrisht, janë nga ata njerëz që e mbajnë mendjen te rreziku pa e thirrur në ndihmë autosugjestionin e fatit, të sigurisë teknike dhe faktin se në avion udhëtojnë rreth treqind njerëz, që pa dyshim secili e do jetën e tij.

Në të vërtetë, gjatë udhëtimit në qiell për mëse nëntë orë, më shkonte mendja te enigma njerëzore; kanë humbur jetën mijëra vetë nga avionët, trenat, vaporët e gjithëfarë lloje makinash të prodhuara nga mendja e njeriut. Natyrisht, cdo njeri e para mendon se mund të rrëzohet avioni dhe ai mund të humbasë jetën, por megjithatë ngjitet në barkun e shpendit gjigant. Pra, frika nuk ka dominuar, jeta ecën pa u ndalur, guximi sfidon rrezikun dhe njeriu as që kujtohet të frenojë e aq më pak të kthehet prapa. Ndoshta në një të ardhme do shfaqet në jetën e njerëzimit edhe vdekja nga udhëtimet për popullimin e planeteve të largëta dhe pa dyshim ecja do vazhdojë përpara, pamvarësisht, drejt fundit apo infinitit… Fare pa e kuptuar kalojmë nga avioni në një koridor të shtruar me tapet, në mes të të cilit rrëshqasim mbi një shirit metalik me lëvizje automatike. “Toka na lëviz nën këmbë”. Në këtë rast jo vetëm gruaja por edhe unë ndiej frikë. Me sa duket, neve, shqiptarëve e keqja nuk na ka ardhur nga qielli….

Dalim në sallën e madhe të pritjes ku midis shumë njerëzve dallojmë djalin që na përshëndet me të dy duart i qeshur. Përqafohemi me mall duke shikuar njëri – tjetrin si për të kontrolluar ndryshimin e viteve. Pasi dalim nga salla dhe futemi në veturën e tij të bukur ngjyrë vishnje nisim udhëtimin. Këtu më mbërthyen emocionet dhe më kthyen prapa nëpër vite, në përpjekje, në halle, në mungesa dhe arritje, gjithsesi harruar qofshin të gjitha vuajtjet tona, fëmijët na u bënë të mirë, me aftësitë e tyre që nuk ua vlerësoi vendi i lindjes, u shtrinë nëpër botë dhe i gjetën fillin jetës së mirë. Këto mendoja kur gruaja e pyeti të birin:

  • Ku e le makinën natën të keqen mami? Meraku i nënës ia kishte kthyer mendjen prapa ku makinat vidhen së shumti edhe me ndihmën e rojeve që i ruajnë…

  • Ki durim, mami, se do ta shikosh, – i tha ai. Pas një copë here makina zbriti në të poshtë dhe ndali përpara një porte të gjerë të mbyllur me një grilë me pllaka të gjera metalike. Djali nxori dorën paksa nga dritarja, shkeli një pult komandimi dhe porta u ngrit automatikisht përpara nesh. U futëm në një parking të madh të nëndheshëm ku ndrisin dhjetra makina si të kishin dalë rishtas nga fabrika. E lëmë makinën në kuadratin e numrin përkatës dhe dalim prej saj.

  • Ejani me mua, – thote Delano duke i hedhur s’ëmës dorën në qafë. Pasi kalojmë një portë dalim në një korridor të gjatë, të shtruar me një tapet blu, futemi në ashensor dhe ngjitemi në korridorin e nëntë ku djali ka apartammentin. Pra, parkingu është i pallatit, banorët e të cilit zbresin nga shtëpia drejt e në makinë. Në një kuzhinë të gjerë, të bardhë, të pastër na pret e qeshur Erka, na përqafon dhe na pyet më zë të ulët, pasi në dhomën përbri po fle “mbreti” fle nipcja, mjalti i mjaltit, sic i ka quajtur ai i mencur që i shijoi i pari. Pra, nipcen e puthim me kujdes në gjumë dhe ulemi në kolltukët e rehatshëm, për t’u cmallur, për të shuar kureshtjen e kontinenteve…

MENTALITETI

Toronto, Kanada, parë nga ishulli i Torontos

Në mëngjes ngrihemi nga cicërimat e nipces, i cili në dhomën e tij me lodra nga më të bukurat ka vënë në lëvizje një Karusel, i rrethuar nga “Batmani, Spajdermani, Herkuli dhe Supermani”… Na shikon i stepur, ndonëse nuk i ka munguar informacioni viziv i fotografive, madje edhe i një vidioje të dërguar nga Shqipëria e largët. Gjithsesi, nuk na e kursen përqafimin duke na dhënë të kuptojmë se shpejt do vendosen marrëdhëniet e mira diplomatike… Dalim në ballkonin e gjerë nga ku shikimi shtrihet mbi një pyll të përndezur nga larmia e ngjyrave të vjeshtës deri tej ku horizonti mbyllet nga një mjegull e hollë… Koha është e ngrohtë, pothuajse si në Tiranë, pallatet e larta numurohen lehtë, kurse mijëra vila një e dykatëshe, shtrihen të rrethuara nga gjelbërimi i thellë, nga parqe e fusha golfi deri ku mbyllet pamja. Eshtë e shtunë, ditë uikendi, poshtë, në anë të pallatit pushojnë dhjetra vetura në parkingun mbitokësor, përbri tyre në një shesh të gjelbër, pranë drurëve të lartë vërtiten dhe lozin ketrat në qetësinë e tyre. Eh sikur të ishin edhe banorët e Shqipërisë time kaq të sigurtë sa janë ketrat në Kanada…(Në qoftë se do ndodhte që dikush të godiste ketrat, qytetari i parë që do ta shikonte do të jepte alarmin se në zonë është shfaqur një i cmendur i cili duhet izoluar).

Pas ngrënies së mëngjesit, gruaja ime e ardhur në këtë botë për punë, hedh shikimin nëpër kuzhinë, i hanë duart për të larë ndonjë pjatë apo për të marrë pluhurat. Nusja qe ia njeh natyrën i thotë:

- Mami, rri e qetë, të lutem. Nuk ka asnjë problem, dy pjata janë, kurse pluhurat i pastroj një herë në javë më tepër për inerci, pasi nuk kemi, nuk ka nga na vijnë…

Shtëpinë tonë në Tiranë e kemi diku në afërsi të “bërrylit” ku pluhurat duhet të merren tri herë në ditë, e për këtë i them nuses se po ta dija këtë hall, për të mos m’u mërzitur gruaja, do kisha marrë nje qeskë me pluhur nga rruga përballë pallatit, e cila ka gati dy vjet e shkatërruar për t’u bërë e re. Ishalla e gjejmë të mbaruar kur të kthehemi. Djali qesh me të madhe, sic e ka zakon. Pallati ku banojnë ka një konstruksion të thjeshtë, të ngjashëm me godinat e konvikteve, në dy anët e një korridori të gjatë të shtruar me një tapet ngjyrë kafe, reshtohen hyrjet e apartamenteve, natyrisht jo ballë njëra – tjetrës. Më bën përshtypje qetësia e plotë, sikur të mos ketë banorë. Njerëzit komandojnë zërin, kurse fëmijët i kanë dhomat të shtruara për izolimin e zhurmave. Njohja midis njerëzve lidhet me një përshëndetje të natyrshme. Nuk ka grupime, llafe, thashetheme për jetën e njëri – tjetrit. Secili në jetën e tij, në botën e tij të qetë. Natyrisht, kjo nuk i pengon njerëzit të kenë edhe marrëdhënie të afërta, për shembull: Anri, nipcja i ëmbël, nesër është i ftuar në shtëpinë e Alehandros, shokut të tij me nënë hungareze dhe baba kuban, i cili ka ditëlindjen. Për këtë ngjarje Delanoja duhët të blejë një tufë lule të freskëta. Fëmijët janë miqësuar në kopësht, për t’u afruar edhe prindërit e tyre.

Bashkë me gruan, djalin dhe nipin, dalim një shëtitje përreth bllokut të banesave. Nipi merr me vete edhe bicikletën. Shëtisim në rrugë të pastërta, gjelbërimi i barit shtrihet deri në pllakën anësore të trotuarit. Kudo pastërtia dhe gjelbërimi të jep dashuri për jetën. Nga biseda na e tërheq vëmendjen Anri, i cili dicka i thotë të atit në anglisht dhe e thërret pranë. Problem; dikush ka hedhur pranë gardhit të një vile një qeskë nga ato të patatinave, gjë që për Anrin përbën faj sipas edukatës së kopshtit. Më vonë unë do bëja një gabim për të cilin do merrja vërejtjen e parë nga nipi: Prej natyre, kur laj sytë, bëj shumë ujëra. Më ndodh kjo ndoshta nga ndjesia inatcore për mungesën e ujit gjatë viteve të jetës, kështu që dola nga tualeti duke e lënë bankinën e lavamanit të lagur. Ndodhi që pas meje shkoi nipi në tualet, kur doli pyeti t’ëmën se kush ishte treguar i pakujdesshëm për gjendjen e lavamanit… Për këtë gabim kam marrë paralajmarime serioze nga gruaja, por gjatë tridhjetë e ca vitesh, nuk kam mundur të ndryshoj. Tashti që më kritikon nipi katër vjec e gjysmë, më duhet të bëj autokritikë, ndryshe ai me raporton te zysha e kopshtit…

Më kot shikoj për ndonjë lokal për të pirë një gotë, si në Shqipërinë tonë ku lokalet janë në cdo pesëdhjetë metra, por djali më sqaron:

- Lokale këtu përrreth nuk ka, pijet alkoolike i kanë të ndaluara në publik. Gjen vetëm në restorante, ku mund të marrësh një birrë. Madje sikur këta banorët e vilës pranë të dalin me pije alkolike për ta konsunuar në lulishte, ndalohen dhe gjobiten… Pra, në shtëpinë tënde pi c’të duash, kurse shteti ka rregulla, disiplinë e qetësi qytetare.

Kujtoj në këtë cast protestat e banorëve të pallateve në Tiranë kundër “Pab/pubeve” ku muzika e xhazit gjëmon tërë natën, pa u kujtuar se qyteti është i të gjithëve, pa zënë në gojë se ka edhe të sëmurë. Megjithatë, për mungesën e ndonjë lokali e kundërshtoj djalin:

- I thonë një fjalë andej nga Labëria: Jo si Asllani, por jo edhe si Kapllani. Një lokal këtu duhej, pasi në kohën që Anri luan me bicikletën, ne mund të pinim dicka, por ai më thotë se edhe në qendër të Torontos, lokalet për të ndenjur janë të rrallë. Në lagjet greke dhe italiane i gjen gati si në Shqipëri.

Në fund të javës kanë zgjedhje lokale, ndonëse lëvizëm në shumë rrugë, madje ndërruam dy autostrada, nuk ndeshem në tubime, apo në turma njerëzish të brohorasin dhe të hedhin parrulla…(Në Kanada nuk ka hosana). Në asnjë vend të dukshëm dhe aq më pak në mure godinash, nuk shikojmë postera. Diku, në anë të trotuarit më tërheq vëmendjen një tabelë e bardhë e vogël e ngulur në bar me dy fije teli të trashë. I them djalit të ndalojë makinën. I afrohem tabelës dhe lexoj: Peter Foneska. Poshtë emrit është fotografia e një burri rreth të pesëdhjetave, në mes të familjarëve të tij. Pra, me këtë dukuri të thjeshtë paraqitet përballë elektoratit një kandidat i Partisë Liberale. Rrufeshëm më kthehet mendimi në muret e qyteteve të vendit tim, ku rrinë të varur për vite me radhë fytyra deputetësh, të cilët nuk kanë bërë asgjë në shërbim të elektoratit, vec sigurimit të mirëqënies së tyre dhe të nxjerjes së ligjeve, që nuk zbatohen së pari prej tyre. Këtu edhe atë tabelën e vogël mund ta vendosësh, vetëm në qoftë se të lejon pronari i vendit, ose autoriteti lokal. Menjëherë pas mbarimit të fushatës, nuk egziston më asnjë shenjë e saj.

I kujtoj djalit deshirën për të shkruar një reportazh. Ai më thotë që mund ta shkruash për në Shqipëri, pasi këta këtu, nëse do mund të botohej, nuk do të të kuptonin. Kur t’u lëvdoje avantazhet e jetës së tyre, sipas teje, do të të pyesnin se si e kupton ndryshe jetën ti zotëri, pse u cuditke?!

Pasdite dola me djalin për të parë disa dyqane. Fjala dyqan është fare e vogël për këtë vend. Futemi në një supermarket gjigand, ku mund të gjesh mallra nga e gjithë bota, deri te ullinjtë dhe djathi grek (por jo ullinjtë dhe djathi i famshëm i Shqipërisë, se nuk ka zot hauri). Ne hapësirën marramendëse shatërvanet dhe gjelbërimi i luleve shtrihen në një gjatësi gati 200 metra. Pranë njëri – tjetrit radhiten dyqane, kineze, amerikane, greke, egjiptiane, marokene, turke, italiane etj. Kjo dukuri marramendëse më kujtoi fjalët e djalit të thëna gjatë bisedës në mbrëmje:

- Malli për atdheun është pa dyshim një tërheqje instinktive, por ndarja nga një jetë e tillë është mëkat, është e dhimbshme. Ti vetë e ke thënë në librin DESHMITARI I QIELLIT, se qëllimi parësor i njeriut është ta jetojë sa më mirë e dinjitoze jetën e përkohshme në këtë botë. Këtu po të dish të djersitesh në punë, jo vetëm jeton si njeri, por ke mundësinë të mbulosh edhe detyrime që rrjedhin nga jeta. Unë punoj edhe dhjetë orë në ditë, kur e do nevoja e punës, por nuk e ndiej peshën e lodhjes nga që puna më vleresohet me drejtësi dhe me ligj, gjë që për fat të keq, në vendin ku kemi lindur nuk është e sigurt.

 

 

NJE DREKE NE KULLEN ME TE LARTE TE BOTES

Djali, për të na qënë pranë në ditët e para të ardhjes, ka marrë disa ditë pushimi të rezervuara më parë nga leja e zakonsme. Nga ora dhjetë, na thotë të bëhemi gati se do dalim për një vizitë të vecantë.

U bëmë gati dhe dolëm nga shtëpia. Nusja nuk do na shoqërojë sot, ngaqë po pregatitet për një provim, për të siguruar të drejtën e specializimit në mjeksi. Zbritëm me ashensor nga kati i nëntë drejt në parkingun poshtë pallatit. I hipëm makinës dhe u nisëm për në qendrën e Torontos. Pas një copë herë “rrëshqitjeje” në autostradë, na shfaqet përpara kulla e famshme e Torontos që can drejt qiellit.

- Ja atje do të ngjitemi sot, – na thotë djali.

Pasi lëmë makinën në parkingun e nëndheshëm, dalim në sipërfaqe, në qendër të qytetit të madh. Ndihemi të rrethuar nga gratacelat, xhamat e të cilave na verbojnë sytë, vacanërisht të njërës aty pranë, që xhamat i ka ngjyrë plumbi. I afrohemi kullës. Nga jashtë duket një ngrehinë elegante, marramendëse prej betoni në formë trekëndëshi, që është ngritur vetëm për të sfiduar lartësinë. Në dy të tretat e lartësisë së saj, ka një plan rrethor që të kujton foltoren e hoxhëve në minaret e xhamive. Kur futemi në bazamentin e saj befasohemi. Në fund të kullës është një market, jo shumë i madh, por që na shfaqet befasues ngaqë nga jashtë vijmë me idenë që përmenda më lart. Nëpër të lëvizin vizitorë nga të gjitha rracat e botës që shikojnë me kureshtje se cfarë relike të blejnë si kujtim nga kulla e famshme. Djali na blen imazhin e kullës në miniaturë metalike, pastaj ngjitemi lart pas tij në sallën ku priten biletat, për të vazhduar ngjitjen drejt qiellit. Me biletat në duar, futemi në një ashensor ku urdhrat për numurin e pjesëmarrësve në të dhe lëvizjen e tij, i jep një vajzë mulate. Ngjitemi me shpejtësinë 28 km në orë dhe dalim në një ngrehinë rrethore, në dyshemenë e të cilës lëvizin dhjetra njerëz. Janë vizitorë kureshtare që jetojnë e punojnë në Kanada, por që e shikojnë kullën për herë të parë, si edhe turistë të huaj. Nga dritaret e gjera me xham, na shpaloset poshtë një pamje e mrekullueshme. Jemi në lartësinë 346 metra. Nga sipër, gratacelat duken poshtë si gurë gjigandë shahu në një fushë betoni. Përtej rrjetit të autostradave dhe shinave të trenave elektrikë, që kryqëzohen e pleksen me njëra – tjetrën, shtrihet liqeni i Ontarios. Në të ngrihen ishuj të vegjël plot gjelbërim. Në mes të pemëve shkëlqejnë godinat e bardha të lokaleve, ku njerëzit përjetojnë bukurinë e vendit, vlerën e dorës së njeriut dhe kuptimin e jetës. Ndjen këtu një bukuri mahnitëse dhe shpirti të mbushet me dashuri për jetën, por edhe me urrejtje për cdo të prapë e prapësi që pengon njeriun për ta shijuar botën dhe jetën në tërë hapësirën e saj. Të mrekulluar nga ato pamje, ngjitemi një kat më lart, në një restorant ku dhjetra njerëz shijojnë cfarë iu do oreksi. Shikon aty njerëz të qeshur, të shëndetshëm, të të gjitha moshave dhe të duket sikur kjo botë ka vetëm njerëz të lirë e të gëzuar. Në dysheme është lënë një hapësirë rreth tre metra prej xhami të vecantë e të trashë. Kur futesh aty dhe shikon poshtë objektet në fundin e kullës, të merren mendtë dhe dridhesh nga mendimi se xhami pa pritur do të thyhet dhe… Dola mbi xham dhe djali shkrepi aparatin për një kujtim tepër të rrallë. Aty pranë xhamit krijohej një humor kombesh, ngaqë një burrë zezak, kinez, korean, spanjoll apo indian, shtyn drejt xhamit gruan, shokun apo shoqen e frikësuar. Pra, nuk ishte aq e lehtë të hipje mbi xham dhe jo të gjithë e bënin, ndonëse siguria është e padiskutueshme. Gjejmë një tavolinë pranë dritares dhe ulemi të drekojmë. Pamja poshtë e deri tej në horizont shpalos një bukuri tepër të rrallë. Jemi me nge, ndiejmë një lehtësi të cuditshme në trup. Dihet se bukuria të heq brengën, të përtërin shpirtin por ndoshta edhe të lehtëson peshën e trupit!

  • Kjo është një mrekulli. Konstruktorët e veprave të tilla duhet të mbeten përjetësisht nderi i shoqërisë, – thashë i ngazëllyer.
  • Deri sot është kulla më e lartë në botë. “LA TOUR CN” quhet me gjuhën e vendit, – thotë djali dhe pasi merr kutinë katërkëndëshe brenda të cilës është kulla në miniaturë që na e bleu në dyqanin e suvenirëve, lexon dhe na thotë: Pika e fundit e lartësisë kap kuotën 553.33 metra. Vizitorët mund të ngjiten deri në lartësinë 447metra. Ne ndodhemi në lartësinë 346 metra. Për ndërtimin e saj janë harxhuar 5000 ton hekur, shtrirja e të cilit arrin në 128 km, janë përdorur 40,524 metrakube beton. Filloi ndertimi i saj nga një shoqëri kanadeze, në vitin 1973 dhe mbaroi pas 40 muajsh, e menduar në fillim për përhapjen e valëve radio-televizive, por më pas u kthye në një pikë turistike të vecantë. Janë harxhuar për të 43 000000$. Vizitohet nga rreth 2,500 000 njerëz në vit. Natyrisht, është krenaria e Kanadasë. Por kam lexuar në internet, se po ngrihet një tjetër kullë ne Dubai, e cila do kape lartësi më të madhe… Do na e kalojë.

Fjalët e fundit djali i tha si me trishtim, sikur kulla ku po rrinim, të ishte e Tragjasit, ku ka lindur i ati… Kot nuk e kanë shpikur kurbetllinjtë idenë e atdheut të dytë, kur ia kanë ndier lezetin një vendi.

- Epo, përderisa njerëzit ëndërrojnë edhe udhët e planeteve, do konkurojnë për lartësitë, – thashë dhe ngritëm gotat për shëndetin, mbarësinë, por edhe për Shqipërinë e varfër, me urimin; t’i vijnë ditë të mira, të eci edhe ajo hallemadhe përkrah botës. Jo për të ngritur kulla të tilla, por për t’u rritur siguria e jetës, kultura dhe mirëqënia e banorëve të saj. Kush është ai qafir që nuk e ka këtë dëshirë në zemër për vendin e tij?!

 

NE GJIGANDIN E TREGTIS SE QYTETIT

Kanë kaluar dy javë nga dita që vizituam kullën. Nusja e djalit e ka dhënë provimin. Eshtë e qetë dhe me vetëbesim, ndonëse përgjigjia përfundimtare jepet pas gati një muaji. Në provime të tilla dalin shumë vetë të ardhur nga bota, për të afirmuar këtu profesionin për të cilin janë diplomuar në vendin e tyre. Kudo që të jesh diplomuar, Kanadaja ka rregullat e saj përpara se të të japë vendin e merituar, vecanërisht mjekësia është tepër e shtrënguar. Gjithsesi, meqë frikën na e ka nxjerrë fitorja në provimin e parë, jemi optimistë edhe për provimin e dytë. Nusja na prin për të vizituar qendrën tregtare të Torontos. Pas disa stacioneve me autobus, marrim trenin elektrik të metrosë dhe pa dalë në sipërfaqe, një palë shkallë elektrike, na nxjerin në një sallon tregtie. Kisha dëgjuar për të ftohtin e Kanadasë, por këtu të ftohtin mund ta ndiesh vetëm tre a katër minuta në stacion të autobusit, por jo në autobus, jo në tren, jo në dyqan dhe as në parking. Kështu kalojmë nga një mjedis i ngrohtë në tjetrin. Duke kaluar ngadalë nëpër sallone, të duket sikur këtu është mbledhur për t’u shitur i tërë kapitali i botës, nga gjilpëra deri te vetura dhe më kujtohet fjala; këtu vetëm nënë e babë nuk gjen. Bëhet fjalë për një hapësirë të jashtëzakonshme, ku lëvizin pa pushim, në shërbim të klientëve, dhjetra shkallë elektrike dhe ashensorë. Reklamat, dritat e ngjyrat të marrin sytë. Në cdo kat klientët gjejnë dhe shërbimin ushqimor të castit nga shumë kuzhina të botës. Ngjitemi me shkallët elektrike deri në katin e gjashtë. Cdo gjë e bukur, cdo gjë të befason. Një kat më vete është për reklamën paraprirëse të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Këtu të duket vetja si në një galeri dritash e ngjyrash përtej ylberit. Për cudi edhe këtu si në cdo dyqan që jemi futur, dominojnë mallrat nga Kina e largët. Janë krejt të vecanta sajimet e kafshëve, shpendëve edhe njerzve prej qelqi, druri, kuarci, mermeri e deri te fildishi, nga duart e durimit kinez. Kanadaja është e mbushur me kinezë. Në qendër të Torontos është një lagje e tërë, vetëm me banorë dhe tregti kineze, përvec shumë lokaleve, supermarketeve dhe restoranteve në gjithë territorin e vendit. Mallrat kineze janë nga më të lirat.

- Kjo gjë ndodh edhe në Amerikë, – më thotë një miku im, i cili ka ardhur nga Bostoni të më takojë. Me sa duket, perandoria më e madhe në historinë e njerëzimit, ashtu në heshtje, me urtësi, me durim e me bindje të përllogaritur, po hedh spirancën e krye “Titanikut” të saj në oqeanin e botës, ndoshta për t’u hapur një faqe krejt e re në historinë e saj… Një mrekulli tjetër është edhe salloni i pajisjeve shtëpiake, e vecanërisht i dhomave të gjumit. I gjen aty të gjitha kategoritë dhe cilësitë, nga krevati më i zakonshëm, ai marinar, te krevati dopjo e deri te krevati ‘KING”, i cili, i mbuluar me mëndafsh purpur, të merr mendjen. Shikoj të gjitha këto dhe ndjej në shpirt një kënaqësi të cuditshme sikur të jenë të miat. Mallkuar qoftë ai që nuk e do botën të pasur!

Që të vizitosh me hollësi këtë qendër tregtie, të duhen jo më pak se pesë orë. Kjo është një nga treguesit e kapitalizmit të ”mallkuar”, i cili, për hir të së vërtetës, duhet thënë se ka nisur të duket edhe në Shqipërinë tonë. E them këtë ngaqë në castin që po shkruaj këto rreshta, më vjen ndër mend edhe qendra jonë tregëtare “Univers” (Q.T.U.) e ngritur vitet e fundit përbri autostradës Tiranë – Durrës. Ishalla u bëftë nënë e bijave, që duhet të vijnë edhe më moderne në të ardhmen.

 

 

 

JETIMI I KOHES

Lëvizim në qendrën e qytetit, bashkë me gruan dhe nusen e djalit. Një godinë e bukur, me një arkitekturë të vecantë, e ndryshme, nga gratacelat që e rethojnë, më tërhoqi vëmendjen dhe pyeta nusen e djalit.

- Atje kam ndër mend t’iu coj, por të presim sa të na japë të drejtën e kalimit semafori i këmbësorëve, – më tha.

Kaluam kryqëzimin dhe u futëm në godinën e librarisë qëndrore të qytetit. Lëvizim nëpër rradhët e rafteve të gjatë me libra, që pasojnë njëri – tjetrin në dy sallone madhështore në dy kate plot dritë. Afrohem dhe lexoj emra autorësh nga gjithë anët e botës dhe për një cast më duket sikur vijnë nga thellësia e shekujve dhe futen aty në sallonin e ndritshëm shkrimtarët e dashur, që më mëkuan në rininë time magjinë e librit: Sheikspiri, Servantesi, Heminguei, Balzaku, Dikensi, Viktor Hugoi, Cvajku, i novelave dhe i monografive të mrekullueshme, Floberi, Mopasani elegant, Tolstoi i ashpër, Merime, Cehovi delikat dhe dhjetra emra të tjerë të njohur, të kohëve të mëvonshme, që i kanë lënë trashëgim botës bukurinë e mendjes. Në këtë librari të shkëlqyer, gjen të gjitha gjinitë e letërsisë dhe artit. Në qendër të sallonit të parë, mbi një tavolinë, bien në sy tre vëllime të një madhësie krejt të vecantë. Janë Bibla, Kurani dhe një histori e artit botëror, të lidhur dhe ilustruar në mënyrë të shkëlqyer. Më tej renditen fjalorë nga gjuhët kryesore të botës dhe revista nga të gjtha llojet e për të gjitha moshat. Nusja merr në dorë një libër të vogël dhe më thotë se ai u ofron lexuesve mënyra urimi ndaj prindit, vëllait, motrës, shokut apo shoqes për cdo ngjarje të jetës së tyre.

- Janë të rralla ato vende që këtu te mos jenë përfaqësuar nga një libër. Vjet këtu kam gjetur edhe një libër të Kadaresë, – më thotë nusja.

Megjithatë, në këtë qendër të mendimit njerëzor, nuk kishte shumë kliente!!! Madje shumica e të pranishmëve ishin të moshuar. Prej vitesh kam krijuar bindjen se letërsia dhe artet janë ndoshta realizimi më i lartë dhe human i mendjes njerëzore. Mirëpo, për fat të keq, vihet re që libri, ky shok, ky mik që të mëson e nuk të shet, të edukon e nuk të kërkon, po lihet mënjanë, po i largohen njerëzit e po mbetet jetim. Këtë dukuri e kam vënë re gjatë gati dy dekadave të fundit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi ku isha në fillimet e viteve nëntëdhjetë.Eee, mesa duket, është edhe këtu e përafërta gjendje. Kam lëvizur nëpër Kanada, për të njohur sa më shumë vende, pse jo edhe psikologjinë e njerzve. Kam lëvizur me autobusa, me trena e kudo, por librin e “takova” shumë rrallë në dorën e ndonjë gruaje, të ndonjë të moshuari, por jo te rinia që përbën brezin e së ardhmes. Këtë merak e diskutova një ditë më pas me shokun tim të viteve të shkuara në ndërmarjen gjeologjike të Tiranës, Sillo Mucko. Sapo dëgjova se jetonte në Kanada, i telefonova dhe u takuam. Më priti në banesën e tij, në një godinë shumëkatëshe ku jetonin kryesisht të moshuar me asistencën e shtetit. Etazheri i tij i madh me libra, me kujtoi ato raftet e thjeshtë që i mbanim nëpër barakat e ekipeve, të sajuar me dërrasa. Eh, sa lexonim në rininë tonë, me sa merak e kërkonim daljen e një libri, sidomos nga letërsia e huaj. Silloja lexon shumë, madje mban mardhënie edhe me botues gazetash dhe revistash në Shqipëri, në Amerikë e deri në Greqi. Më tregon revistën letrare “PEGASI”, e cila botohet në Greqi. Më pas lexova në të, dy tregime interesante, një të Naun Priftit dhe një të Adrian Kycykut, shkrimtar shumë i njohur në Rumani, i biri i akademikut Kopi Kycyku.

Kohët e fundit Silloja, ka botuar një libër të përafërt me një monografi, ku pasqyrohet me dhimbje dhe revoltë gjendja dramatike e individit intelektual gjatë viteve të monizmit. Pasi më foli për jetën e tij prej dymbëdhjetë vitesh në Kanada dhe kushtet e shkëlqyera që u ka krijuar pensionistëve shteti kanadez, i tregova për përshtypjen jo të mirë që më kishte lënë mungesa e klientëve në librarinë moderne të qytetit. Ai nënqeshi dhe më tha:

- Për fat të keq, ke të drejtë, libri ndihet jetim edhe këtu. Ma merr mendja se është pikërisht kjo arsyeja, që masa e gjerë e njerzve kanë një horizont të kufizuar dijesh. Kam ndjekur në televizor intervistime njerzish, vecanërisht të rinj, të cilët nuk dinë gjë, jo vetëm nga gjeografia e historia e botës, por edhe për hapësirat, datat dhe ngjarjet e shënuara të vendit të tyre. Nga koha e largët, kur isha në Moskë për studime, mbaj mend që rusët lexonin shumë. I shikoje njerzit në metro, në autobus edhe në radhët e dyqaneve me një libër në dorë. Këtu në godinën time kam shumë syresh, natyrisht, të moshuar, por zakonin e vjetër nuk e kanë harruar. Më thonë se në Rusi ende lexohet ndonëse jo me pasionin e vjetër.

Nga biseda jonë, mendimi më solli në kujtesë një dite nga plazhi i Durrësit, ku duke shëtitur përballë mijëra pushuesve të mbështetur në shezlonge, më zuri syri vetëm dy a tre libra, shumica e njerzve zgjidhnin fjalëkryqe nëpër gazeta. Nuk ka dyshim, që largimi nga libri sjell shterpësi, sjell rënien e nivelit shoqëror dhe kufizimin e kulturës. Rëndom kam dëgjuar se librin e ka ezauruar zhvillimi elektronik me informacionin e tij të drejtpërdrejtë. Natyrisht, këtu ka dicka të vërtetë, por ezaurimi i tij kurrë nuk mund të ndodhë. Libri do të mbetet përjetësisht pasqyra e nevojshme, për të njohur thellë shpirtin njerzor dhe hapësirën e botës së madhe. Do mbetet bashkëbisedues i pazëvendësueshëm…

NE KATARAKTIN NIAGARA

 

 

Që nga vitet e shkollës shtatëvjecare ruaja në kujtesë madhështinë e kataraktit Niagara. Na e shpjegonte mësuesi i shkëlqyer Isa Vasili, me aq detaje e vërtetësi sikur ai të derdhej aty mbi konviktin e Ujit të Ftohtë nga mali i Kaninës. Dhe ja, pas më shume se pesëdhjetë vitesh, mua më jepet rasti të shkoj pranë madhështisë së tij tronditëse. E vendosëm në mbrëmje dhe të nesërmen nga mesdita, unë me gruan, djali me të shoqen, nipcen e vogël dhe baxhanakun e djalit, u nisëm të ndarë në dy makina. Makina rrëshqiste në autostradë me shpejtësinë 120km/orë. Diku, kalojmë mbi një urë të gjatë që ngrihet në formë harku mbi një ngushticë të liqenit Ontario dhe përshkojmë një fushë që duket sikur nuk do mbarojë kurrë. Herëpashere në dy anët e autostradës na shfaqen plantancione vreshtash, rreshtat e të cilave ashtu të shtrira deri larg, të kujtojnë radhët e një ushtrie të gatëshme për paradë. Pas ndonjë ore futemi në një qytet të bardhë. Djali gjen vendin përkatës dhe parkon makinën. (Në Kanada nuk mund të lihet makina në anë të rrugëve, ashtu, ku të duash. Kudo të presin parkinget në sipërfaqe, ose nën tokë, ku je i detyruar të parkosh.)

- Ky është një qytet i vogël, i cili nuk mbetet kurrë pa vizitorë, quhet “Niagara mbi liqen”. Do ndalemi një gjysmë ore, – thotë djali.

Zbresim nga makina dhe ngjitemi në trotuar. Në dy anët e rrugës së shtruar rishtas me asfalt, renditen shtëpi të bardha, jo më shumë se me tre kate. Janë të gjitha karakteristike, me cati të larta në formë trekëndëshi, për të bërë të mundur rrëshqitjen e borës, e cila zakonisht ia mbërrin pa dalë nëntori. Koha është e bukur, ndonëse diellin më të rrallë na e mbulojnë ca re të murrme që shtyjnë njëra – tjetrën drejt veriut. Në katër anët lëvizin njerëz të veshur pastër e bukur. Futemi në dyqanin e parë, i cili është i mbushur me mallra antike vendase, por edhe me importe të largëta. Veshjet karakteristike prej leshi, të qendisura me ngjyra të kuqe, ku nuk mungon e famshmja gjethe rrapi e flamurit kanadez, me kujtojnë veshjet e leshta të veriut tonë. Kalojmë në të tjera dyqane, kudo kapital i madh dhe i gjithëllojshëm, kudo rregull perfekt, pastërti shembullore dhe shitës e shitëse të gatëshme të të shërbejnë. Ndërsa eci pranë lulesh gjithfarë llojesh, më del përpara një statujë e një burri të moshuar me flokë të rënë. Afrohem me kureshtje dhe lexoj në një pllakatë katrore metalike: Xhorxh Bernard Shou. Në shpirt provova një ndiesi të vecantë jo vetëm për emrin e tij të njohur qysh në vitet e rinisë, por edhe ngaqë më kujtoi Fan Nolin tonë. Vite më parë kisha patur rastin të lexoja letrën e këtij shkrimtari të madh anglez, drejtuar poetit dhe përkthyesit tonë të shkëlqyer, ku pasi e uronte për vlerën e librit “BETHOVENI DHE REVOLUCIONI FRENG”, i tërhiqte miqësisht vëmendjen, pse kishte trajtuar në libër edhe dobësite njerzore në karakterin e mjeshtrit të madh të muzikes. “T’i kishe lënë ato mënjanë, për të jetuar njerezit me magjinë e muzikës së tij të pavdekshme.”

Pra, ndenja një cast shpirtërisht me ata dy burra të mëdhenj, aty në qytetin aq shumë larg vendit tim. Në këtë qytet të vogël është shfaqur për herë të parë një nga dramat e shkrimtarit dhe prej atëherë ka mbetur si rregull festivali teatror i përvitshëm “Bernard Shou” ku marrin pjesë shumë grupe teatrore vendese dhe te huaja. Në festivalin e një viti më parë janë dyndur këtu 350.000 njerëz. Ajo ngjarje ka bërë të mbetet i derdhur në bronz dramaturgu i njohur,ne kete qytet te vogel teper larg atdheut te tij te lindjes

Përballë, në anën tjetër të rrugës, më tërheq vëmendjen një godinë trekatëshe, me dyer e dritare druri të punuara me dorë, që më kujtuan shtëpitë e Gjirokastrës. Përpara saj ishte një oborr i rrethuar nga gjelbërimi, në mes të të cilit ishin vendosur tri tavolina me karrige antike druri. Përbri godinës ngrihej një stendë me fotografi dhe shënimet përkatëse. Afrohemi dhe mësojmë të dhëna mbi historikun e shtëpisë si dhe të banorëve të saj. Eshtë ngritur në vitin 1817. Në fotografi janë renditur pesë breza, që nga fëmijëria e tyre dhe deri sa janë ndarë edhe nga jeta. Nga veshjet e tyre njihemi edhe me modën në rrjedhën e shekujve. Sot shtëpia kryen funksionin e një hoteli për turistë. Pamja e saj të lë përshtypjen sikur është ngritur kohët e fundit. Natyrisht, nuk ka si ndodh ndryshe, kur prona drejtohet nga i zoti. Prandaj thuhet fjala: Ka zot hauri… E lëmë qytetin e bardhë në gjallërinë e tj dhe nisemi drejt qytetit të madh të Niagarës. Pas njëzet minutash na dalin përballë gjashtë a shtatë gratacela, kryesisht me konstruksion xhami. Futemi në rrugën kryesore ku të marrin mendjen reklamat e dyqaneve gjithëllojesh.

- Ky është i tëri qytet kazinosh dhe biznesesh. Janë derdhur në të miliarda dollarë për të riprodhuar veten pambarimisht, – më thotë djali.

Pas pak, makina përkulet pranë një godine madhështore dhe zbresim nën tokë në një parking gjigant ku pushojnë qindra makina. Nga një kabinë e vogël prej xhami, një vajzë zeshkane merr taksën dhe ngre me buton një postbllok të vogël të zbukuruar me rrathë ngjyrash. Dalim nga parkingu dhe zbresim një të poshtë drejt lumit. Në të djathtë, pranë trotuarit, ngrihet një mur i lartë, i bërë me gurë katërkëndësh tepër të rëndë, të vendosur njëri mbi tjetrin e të papunuar, për të lënë përshtypjen origjinale të kodrës që ngrihet mbi ta. Dhe ja, na shfaqet përballë një mjegullnajë e madhe që bashkohet me qiellin e shoqëruar me një gjëmim tronditës që të duket sikur ndodhesh pranë kraterit të një vullkani. Eshtë katarakti. Niagara e gjeografisë qe na cudiste aq shumë në bankat e shkollës. Afrohemi pranë një muri me gurë të errët origjinale që ngrihet rreth tridhjetë metra mbi nivelin e lumit. Në anën tjetër të lumit shtrihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lumi vjen që tej me dy degë dhe këputet menjëhere nga buza e shkëmbit të prere si me thikë, gjë që të krijon idenë se është ngritur me beton nga duart e njerzve, por jo, është vepër e vetë natyrës për t’i dhuruar njerëzimit e vecanërisht Kanadasë një bukuri të rrallë. Eshtë interersant fakti që lumi vjen nga ana amerikane, derdhet në katarakt dhe merr rrugë duke u bërë keshtu kufiri ndarës midis dy shteteve që Zoti nuk ua ka kursyer begatinë në tërë kuptimin e fjalës. Pra, bukurinë e Niagarës e ka përballë Kanadaja, kurse amerikanët, për të parë ujëvarën nga përpara, kanë ndërtuar një pistë drejt mesit të lumit, ose kalojnë urën që bashkon dy vendet treqind metra më poshtë dhe vijnë në qytet.

Shtyhemi në të djathtë nëpër turmën e njerzve ku shkrepen qindra aparate fotografike. Pa dyshim, aty gjen të gjitha fytyrat e rracat e botës. Eshtë rënia e menjëhershme me rrapëllimë e mijëra metra kub uji, që pasi përplaset në fund mbi shkëmbinj, ngre lart një vorbull të frikshme, e cila kthehet në stërkala që krijojnë idenë e mjegullnajës që përmenda më lart. Retë e murrme grisen lart në qiell dhe lëshojnë rrezet e diellit mbi katarakt duke shpalosur përpara rreth dymijë shikuesve një spektakël të jashtëzakonshëm. Nga qendra e kataraktit, vorbullat e ujit të shkumëzuar ndjekin njëra – tjetrën si me tërbim dhe pas gati njëqind metrash, bien në qetësi dhe e marrin rrjedhën shtruar, duke përkëdhelur brigjet e dy shteteve fqinjë. Baxhanaku i djalit është kthyer në një fotoreporter të vërtetë. Këtë e them pa teprim, pasi më pas, kur pamë në kompjuter fotografitë, u befasuam me pozat e zgjedhura prej tij. Pas rreth dy orësh kënaqësie, im bir na tha të kalonim nga qendra e qytetit.

- C’qendër tjetër mund të ketë pervec asaj që pamë?! – e pyeta me mëdyshje.

- Ehu! Eja se ka dava Niagara babi, packa që ju thoni se ka dava Janina, – tha ai i qeshur dhe na priu gjatë një bulevardi që cante në mes luleve, gjelbërimit dhe pemëve të larta gjithëllojesh, të cilat janë mbuluar nga larmia e ngjyrave të vjeshtës. Ngjitemi në një të përpjetë të butë dhe dalim në qendrën e qytetit të rrethuar me dyqane, me një arkitekturë clodhëse. Kudo bien në sy shtatore butaforike të personazheve të përrallave më të njohura të botës. Anri, nipcja i vogël, duket i lumturuar. Nusja e djalit me nipcen për dore, më tërheq për të parë një lokal, krejt të vecantë. Futemi brenda si në një përrallë: Në një hapësirë rreth dyqind metra katrorë, renditen banaqe ku shiten gjithëfarlloj vogëlimash artistike. Në pjesën më të madhe të lokalit, tavolinat janë mbushur me njerëz, që hanë e pinë, por jo pije alkoolike. Në qendër të lokalit ngrihet trungu i grivër i një peme, e cila shtrin degët në tërësinë e tavanit duke e mbuluar atë me një gjelbërim të thellë. Papritur stepem. Një gjarpër i rëndë, bollë, laraman, i mbështjellë lart në një degë të trashë, ka varur kokën e madhe mbi mua dhe godet gjuhën e frikshme. Nusja qesh me të madhe. Unë përqëndroj vëmendjen dhe shikoj se gjarpëri është improvizim, por i komanduar me levizjet e duhura për t’u shfaqur sa më i natyrshëm. Ngre kokën dhe shikoj nëpër degët e pemës shumë zvarranike e kafshë, që kanë për natyrë ngjitjen nëpër to. Përfytyro, i dashur lexues, je duke ngrënë dicka dhe kur ngre sytë, ndesh në shikimin e vëmendshëm dhe lëvizjen e shkathët të një shqarthi, i cili të duket sikur nga casti në cast do të lëshohet nga lart mbi tavolinën tënde.Tej nga fundi, dy “elefantë”, ndërsa dëgjohen bubullimat e qiellit, tundin kokat të acaruar dhe lëshojnë ulurimën që bëjnë të vibrojë salla. Kjo është mrekullia e mendjes njerëzore në shërbim të kënaqësisë së njeriut.

Dalim nga “përralla” kthehemi në të djathtë ku dëgjojmë një gjëmim dhe menjëherë një shkrepje rrufeje! Kthej kokën dhe shikoj të improvizuar trupin e djallit në një guvë nga ku shfryn flakë nga goja. Përballë tij, nga një rrafshinë “shkëmbore” Spidermani bëhet gati për sulm. Më poshtë shikojmë trupin skafandër të një njeriu tepër të shëndoshë pa kokë. Njerzit futen pas tij, bëjnë fotografi, që më pas të shkrihen gazit me shpërfytyrimin e tyre. Futemi në një lokal të madh plot ngjyra, me panorama nga Niagara dhe fotografi të spikatura filmash. Bëjmë porosinë dhe fillojmë të hamë drekën. Në tavolinë nuk shërbehet bukë. Shumë vite të shkuara kisha dëgjuar në konfidencë nga njerëz që udhëtonin jashtë, se në restorantet e “kapitalizmit të mallkuar” nuk shërbehej bukë. Këtu e sqarova të vërtetën dhe arsyen; bukës nuk i linte vend gjella…

Shikoj që djali, bashkë me baxhanakun e tij, përpiqeshin ta vononin drekën. Më pas e mora vesh qëllimin e tyre; prisnin të binte mbrëmja, për t’u futur edhe nja dy orë në magjinë e dritave të qytetit. Kur ra mbrëmja dukej sikur mori flakërime jo vetëm qyteti, por edhe pemët e mbuluara nga mijëra llambushka gjithëngjyrëshe. Që tej na merrte sytë shkëlqimi kristalor i kataraktit nën dritat e prozhektorëve të fuqishëm. Papritur ushtojnë shpërthime të fuqishme që bëjnë të dridhet atmosfera dhe qielli përflaket nga fishekzjarrët shumëngjyrësh. Nëntori për kanadezet është muaji i kujtimit të të rënëve në luftëra. Për këtë arsye shikon në gjoksin e shumë njerzve, vecanërisht të moshuarve, një lule rrumbullake të kuqe me një shenjë të zezë në mes. Më bëri pershtypje ky përkim me nëntorin tonë! Ndërsa shikonim turmën e njerzve që dallgëzonte sa në një anë në tjetrën, na kalojnë pranë dy karroca të bardha, me kuaj të bardhë. Ashtu të zbukuruara me shirita drite merrnin një shkëlqim argjendi, në harmoni me bukurinë e dy karrociereve bjonde! Ishin në shërbim të turistëve, mund të shëtiste kush të donte në kujtim të transportit të së kaluarës së largët.

Fali o Zot paqe kësaj bote, që njerzit ta jetojnë sa më bukur jetën e përkohshme! Hidhi në kataraktin Niagara njerzit gjakësorë e makutë që nxisin urrejtje dhe luftëra për të shkatërruar një ditë këto mrekulli, që kanë krijuar njerzit me kaq mundim e përpjekje. Vetëm ta përfytyrosh këtë gjë të zënë dridhmat. Aty nga ora tetë e mbrëmjes e lamë pas mrekullinë e natyrës dhe qytetin magjik, për t’i ruajtur në kujtesë deri në fund të jetës.

KANADAJA

(Për njohuri lexuesit)

Emri Kanada është shfaqur në vitin 1535, kurse në librat evropiane është njohur prej vitit 1545. Zë vendin e parë në botë për nxjerjen e Arit, Nikelit, Aluminit dhe Plumbit. Renditet në vendet e para të botës në prodhimin e grurit, konolës (bimë vajore) dhe drithrave të tjera, si dhe në nxjerjen dhe përpunimin e Zinkut dhe Uraniumit. Shtrihet në pjesën më të madhe të kontinentit amerikanoverior duke zënë kështu vendin e dytë në botë për madhësi teritoriale, pas Rusisë. Në regjistrimin e vitit 2006, popullsia ishte 31 612 887 banorë. Për shkak të dyndjes së emigranteve nga e gjithë bota, në vitin 2001, shënoi një rritje prej 5,4%. Për pranimin e emigrantëve dhe refugjatëve, zë vendin e parë në botë. Dendësia e popullsisë është nga më të rrallat në botë: 3.5 banorë për kilometër katror. Prodhimet më të rëndësishme në ekonominë e vendit janë ajo e industrisë së naftës dhe e drurit. Eshtë vend me pasuri ujore të jashtëzakonshme. Në sipërfaqen e saj ka rreth tridhjetëmijë liqene me një pamje të mrekullueshme. Shteti është monarki kushtetuese. Kryetare e shtetit njihet Elisabeta e dytë e Anglisë e cila ushtron autoritetin e saj nëpërmjet mëkëmbëses vendëse, banore prej vitesh e krahinës Quebek, zonjës Michele Jean, e zgjedhur në vitin 2005. Drejtimi kryesor i shtetit realizohet nga kryeministri i qeverisë federale, që qëndron mbi qeveritë vendore në 10 provinca dhe tre territore, të cilat gëzojnë të drejta të mjaftueshme për vendimmarje sipas interesave përkatëse. Popullsia është kryesisht indjane. Universiteti i parë shtetëror është inaguruar për herë të parë në vitin 1849. Në Kanada ka “banesën”plaku i Vitit të Ri, të cilit i vijnë cdo vit miliona letra nga të gjithë fëmijët e botës, me adresën: PLAKUT TE VITIT TE RI – POLI I VERIUT – KANADA. Kryeqyteti i vendit është Otava, kurse qyteti më i madh është Toronto, ku me sistemin e transportit të tij qarkullojnë në ditë 1 350000 njerëz.

Ky shkrim është lexuar 433 herë!

Share and Enjoy

facebook comments:


Leave a Reply