Këpucët…

Nga Namik Selmani

Namik Selmani

Këpucë fëmijësh që struken në gji të ngrohtë, te një nënë

Këpucë mblesërish që shpërblehen bujarisht për mblesërinë

Këpucë ushtarësh të vrarë mbetur në gurë, me amanetin e pathënë

Këpucë vajzash të kërsafta që lodrojnë fluturisht në lëndinë

Këpucë të palara që kundërmojnë erë të qelbur neveritëse

Çizme  të gjata nën minifund që të bëjnë si manekinë.

Këpucë me guralecë brenda  që të vrasin putrat e çorapet të grisin

Këpucë që pak nga pak të kallërojnë dhimbshurisht

Këpucë Lulërish që hanë rrudha  mësuesësh modernë

Këpucë ku fshihen thonj të paprerë, të pistë, të kalbur.

Taka të holla që të rrrisin dhe një pëllëmbë mbi dhe

këpucë ku dhe derrat e viçat kthehen në lëkurë të argasur

Këpucë endacakësh që kthehen për qen  në një lojë balte

Këpucë bebesh që  janë sa .. një shkrepse e vockël.

Këpucë ku emrat e bosave të botës gdhenden pas qafe

Me lidhëze, pa lidhëze, mbajnë këmbën  e bardhë të lodhur.

Këpucë që provojnë dashurinë me hapa që nuk maten

Këpucë dhëndurrësh që vijnë nga tre stacione avionësh

Këpucë nusesh ku syri të mbetet mes xhelozisë së grave

Këpucë të vdekurish që kalben nën të qara zezonash.

Këpucë me lloj lloj markash  ku durimi vihet në provë

Këpucë të lulëzuara me qëndisma,  kordele, me rripa të gjatë

Më thuaj, të lutem,  ku të blej këpucët, moj zonjë

Të Gabi, buzë lumit  me dallgë apo te butikët me euro e dollarë

Këpucë që zgjojnë laringe të zhurmshëm lustraxhinjsh

Me furçat e zeza e të kafta godasin aq zhurmshëm te arka

Hej llustra, llustra, uluni këtu,  të nderuar zonja e zotërinj

Do t’u heq baltën, të pëgërat e do t’ua bëj  të pastra.

Këpucët…

Këpucë të vjetra, të bardha, të lehta, ngjyra-ngjyra  …

Kur do të  veshë një ditë jeta këpucë që t’i qeshë fytyra????!!!!

15.10.2011

 

Diaspora TV

Ky shkrim është lexuar 1102 herë!

Vizitoni Tribuna Shqiptare Video: Shikoni dhe n'a dërgoni video interesante...Tribuna Shqiptare Video

facebook comments:


Leave a Reply